Do të mbeten falas funksionet kryesore të Samsung Galaxy AI

Kompania Samsung ka konfirmuar se funksionet më të rëndësishme të inteligjencës artificiale (AI) në pajisjet Galaxy do të mbeten plotësisht falas – përgjithmonë.
Ky vendim vlen për opsionet që janë zhvilluar brenda kompanisë dhe që janë të parapërfshira në pajisje, pa ndonjë pagesë shtesë tani apo në të ardhmen.
Të gjitha këto funksione janë pjesë e paketës Galaxy AI, e cila u prezantua me serinë Galaxy S24 dhe përdoret edhe në modelet më të reja si Galaxy S25, Z Fold 7, Z Flip 7 dhe Watch 8.
Megjithatë, duhet theksuar se disa funksione më të avancuara të AI-së mbështeten në sistemin Google Gemini, si gjenerimi i videove apo përmbajtjeve më komplekse. Këto opsione mund të bëhen pjesë e një modeli me pagesë në të ardhmen, në përputhje me planet tregtare të Google-it.
Me këtë njoftim, Samsung ka sqaruar shumë paqartësi te përdoruesit, duke konfirmuar se funksionet themelore të Galaxy AI do të jenë gjithmonë të disponueshme – falas dhe pa kufizime.