Distria Krasniqi fiton medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit
Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë për t’i mposhtur xhudistet më të mira sërish në kategorinë e saj, kësisoj me plot meritë u stolis më të artën.
Në më pak se 10 sekonda, Krasniqi me Ippon e rrëzoi spanjollen Ariane Toro Soler.
Rrugëtimi i Distria Krasniqit drejt medaljes së artë
Shkaku i renditjes botërore, Krasniqi e kaloi raundin e parë si zakonisht pa lojë. Në raundin e dytë, e “rrahu” francezen Alicia Marques, ku dominoi qysh nga fillimi.
Në çerekfinale, Krasniqi kishte punë me brazilianen Larissa Pimenta, përballje që rezultoi të jetë mjaftë e vështirë. Sidoqoftë, xhudistja jonë fitoi pikë në kohën shtesë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale, Krasniqi ishte larg më e mirë se francezja Amandine Buchard, ku mori një pikë të hershme për ta ruajtur rezultatin deri në fund, ose ndryshe siç njihet “Yuko” në xhudo.
Pasi i siguroi medalje Kosovës, Krasniqi u sigurua të jetë e artë duke e mposhtur në finale spanjollen Ariane Toro Soler.
Kësisoj, Distria i gëzohet medaljes së nëntë të Grand Slamit të Parisit.
Ndërkohë, Kosova nuk ka pasur shumë fat me xhudistët e tjerë të cilët u eliminuan. Më së afërmi ishte Fationa Kasapi, e cila humbi në repesazh nga xhudistja e Koresë së Jugut Seyun Jang.
Përpos saj, një vendim i rrallë i ndodhi Laura Fazliut, e cila u diskualifikua së bashku me kundërshtaren Gili Sharir nga Izraeli, shkaku që shfaqën pasivitet.
As Akil Gjakova nuk arriti të lërë gjurmë pasi në raundin e dytë humbi nga italiani Manuel Lombardo. Shkaku i tre dënimeve, xhudisiti kosovar u diskualifikua.
Ndërkohë, e pafat ishte edhe Erza Muminoviq që humbi në raundin e dytë nga spanjollja Eva Soler. /Telegrafi

