Disa palestinezë të plagosur në sulme të reja nga kolonët e paligjshëm izraelitë në Bregun Perëndimor
Disa palestinezë u plagosën sot në sulme të reja nga kolonët e paligjshëm izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, thanë dëshmitarë dhe zyrtarë lokalë, transmeton Anadolu.
Një grup kolonësh të paligjshëm sulmuan qytetin Wadi Sa’ir, në verilindje të El-Halilit (Hebron), dhe vunë në shënjestër shtëpi palestineze, thanë dëshmitarët.
Sulmuesit i vunë qëllimisht zjarrin një shtëpie dhe dy automjeteve dhe goditën banorët me shkopinj dhe gurë, duke lënë disa gra dhe burra të moshuar me mavijosje, thanë ata.
Kolonët e paligjshëm dogjën gjithashtu tri shtëpi, tri automjete dhe një karvan në fshatin al-Jab’a, në jugperëndim të Betlehemit, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
Diyab Masha’leh, kryetari i këshillit të fshatit, tha se grupe kolonësh sulmuan fshatin dhe i vunë flakën tri shtëpive të banuara.
Tri automjete dhe një karvan u dogjën gjithashtu, shtoi ai.
Sipas Komisionit për Rezistencë ndaj Kolonizimit dhe Murit, kolonët e paligjshëm izraelitë kanë kryer më shumë se 7.000 sulme kundër palestinezëve dhe pronës së tyre në Bregun Perëndimor që kur Izraeli nisi luftën e tij në Gaza në tetor 2023.
Më shumë se 1.073 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 10.700 të tjerë janë plagosur, tregojnë shifrat palestineze.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshme pushtimin izraelit të territorit palestinez dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

