Dialogu Kosovë – Serbi mbetet i bllokuar, vizita e emisarit evropian pa rezultate

Dialogu Kosovë – Serbi mbetet i bllokuar, vizita e emisarit evropian pa rezultate

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet në ngërç, pavarësisht rëndësisë që ka për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.

Vizita e fundit e emisarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, në Prishtinë dhe Beograd nuk solli zhvillime të reja, por vetëm përsëritje të mesazheve tashmë të njohura, vlerësojnë analistët.

Sipas tyre, kjo vizitë ndodhi në një kohë kur të dyja kryeqytetet po përballen me kriza të brendshme politike, gjë që ngre dyshime për aftësinë e BE-së që ta nxjerrë procesin nga bllokada.

“Vizita e emisarit ishte më shumë mbledhje informacioni dhe testim terreni. Nuk pati përmbajtje të re. Mesazhet janë të njëjta: nevojitet zbatim i marrëveshjeve. Megjithatë, gjysma e mandatit të tij tashmë ka kaluar dhe nuk kemi parë dialog të vërtetë apo përparim thelbësor”, ka deklaruar Millosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane në Serbi.

Sorensen gjatë gushtit zhvilloi takime në Prishtinë dhe Beograd, duke i cilësuar ato si përgatitore për rundet e ardhshme të dialogut dhe duke theksuar rëndësinë e normalizimit në interes të qytetarëve.

Por, sipas analistëve serb, procesi është reduktuar në përsëritjen e deklaratave rreth marrëveshjes së Ohrit.

Pika kryesore e bllokimit, sipas tyre, mbetet e pandryshuar: për Prishtinën themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa për Beogradin kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Pa zgjidhjen e këtyre dy çështjeve nuk ka zbatim të marrëveshjeve, prandaj dialogu stagnon prej vitesh”, theksoi Pavkoviq.

Analistët në Beograd nënvizojnë se dialogu gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një fasadë politike pa substancë reale. Vizita e Sorensenit, sipas tyre, konfirmoi se pa hapa të qartë politikë, procesi do të mbetet i mbërthyer në retorikë të përsëritur, ndërsa besimi publik në të po zbehet gradualisht./RTK

MARKETING