Deputeti ukrainas: S’duhet ta tërheqim Serbinë në anën tonë, të njohim pavarësinë e Kosovës
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka theksuar se Ukraina duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një postim në platformën “X”, Goncharenko shkruan se Kievi zyrtar nuk duhet të qëndrojë krah Serbisë, pasi kjo e fundit mbështet Rusinë.
“Zelensky u takua me Presidentin e Serbisë. Serbia është aleate e Rusisë. Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë. Dhe kjo nuk është për shkak se ne jemi shumë të këqij, por sepse popullsia e Serbisë mbështet Rusinë në një shumicë të pabesueshme. A duhet të takohemi? Po sigurisht. A duhet të kompromentojmë parimet tona? Jo. Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, shkruan Goncharenko.
Ky reagim vjen pas takimit të Zelensky-it me homologun, Aleksandar Vuçiç në Athinë. Në këtë takim, Vuçiç deklaroi se Serbia e respekton integritetin territorial të Ukrainës, dhe kërkoi nga Zelensky të bëjë të njëjtën gjë.
Goncharenko është një mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës, i cili muaj më parë nisi një peticion me një kërkesë të qartë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kievi zyrtar.