Departamenti i Shtetit i SHBA-së: Heqja e sanksioneve ndaj Sirisë do të marrë pak kohë

Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka deklaruar se zbatimi i direktivës së presidentit Donald Trump për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë do të marrë kohë, duke përmendur kompleksitetin e procesit ndërinstitucional, transmeton Anadolu.
MARKETING
Duke folur me gazetarët gjatë një konference për media, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se derisa vendimi ishte marrë në nivel presidencial, mekanika e heqjes së sanksioneve përfshin agjenci të shumta qeveritare.
“Vlen të përmendet se presidenti ka disa kompetenca në natyrën e asaj që mund të bëhet, por sanksionet administrohen përmes departamenteve të ndryshme në këtë vend. Ky ishte një mesazh dhe sigurisht urdhër për të ndryshuar dinamikën tonë, për të hequr sanksionet, të cilat përfshijnë departamente si Departamenti i Thesarit. Pra, është një proces që do të marrë pak kohë”, tha Bruce.
Ajo shtoi se administrata e presidentit Trump e kupton “rëndësinë e kryerjes së gjërave shpejt” dhe po punon për të.
Javën e kaluar, Trump në një forum investimesh në Arabinë Saudite njoftoi se do të heq sanksionet “brutale dhe gjymtuese” ndaj Sirisë me kërkesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman. Një ditë më vonë, Trump në Arabinë Saudite zhvilloi një takim me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, takim i parë midis liderëve amerikanë dhe sirianë në 25 vjet.
Të martën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Washingtoni mbështet përpjekjet për të ndihmuar qeverinë e re siriane të ketë sukses, duke paralajmëruar se dështimi mund të çojë në luftë dhe paqëndrueshmëri rajonale.
“Ne duam ta ndihmojmë atë qeveri të ketë sukses, sepse alternativa është lufta civile në shkallë të plotë dhe kaosi, i cili, natyrisht, do të destabilizonte të gjithë rajonin”, tha Rubio në një komision të Senatit.