Dënohet me 1300 euro një kompani ndërtimi, ndotën rrugët me goma të papastruara
Komuna e Aerodromit në Shkup ka shqiptuar një gjobë prej 1.300 euro për një kompani ndërtimi dhe personin përgjegjës të saj, për shkak të shkeljes së Ligjit për Pastërtinë Publike.
Gjatë një kontrolli të kryer në një kantier ndërtimi në afërsi të shkollës së mesme “Dimitar Vllahov” në këtë komunë, inspektorët kanë konstatuar se mjetet e ndërtimit po qarkullonin me goma të papastruara, duke ndotur kështu sipërfaqet publike me baltë dhe mbetje të tjera.
Nga Komuna e Aerodromit paralajmërojnë se do të ketë mbikëqyrje të shtuar inspektuese dhe theksuan se çdo shkelje do të sanksionohet ashpër. Fokus i veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe mbajtjes së një mjedisi të pastër dhe të sigurt përreth vendeve ku kryhen punime ndërtimore.

