Deklaratat e ambasadorëve për sulmin terro’rist te Ibër-Lepenci: Përgjegjësit të japin llogari

Deklaratat e ambasadorëve për sulmin terro’rist te Ibër-Lepenci: Përgjegjësit të japin llogari

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka ftuar korin diplomatik në Kosovë për t’i njoftuar për më të rejat lidhur me këtë sulm që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë.

Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.

“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”.
Hovenier ka thënë se sulmi ka rrezikuar qytetarët e Kosovës dhe që “përgjegjësit duhet të japin llogari”.

I dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se zyrtarët më të lartë të BE-së e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për këtë rast, si referencë për deklaratën e bllokut evropian, i cili e ka konsideruar sulmin si terrorist dhe sabotues.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

MARKETING