Daçiqi: Vuçiqi si president dhe unë si kryeministër s’do ta njohim kurrë Kosovën shtet

Daçiqi: Vuçiqi si president dhe unë si kryeministër s’do ta njohim kurrë Kosovën shtet

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është në interesin më të mirë të Serbisë që Aleksandër Vuçiq të jetë president dhe ai kryeministër.

“Është zgjidhja më e mirë për stabilitetin politik të Serbisë – jo për shkak të meje personalisht, por për shkak të interesave shtetërore dhe kombëtare”, tha Daçiq, raporton mediumi serb Danas.

“Me udhëheqjen e presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe mua kryeministër, Serbia mund të bëjë shumë. Nëse populli dëshiron të jem kryeministër i një Serbie të fortë, të qëndrueshme dhe të sigurt, së bashku mund të bëjmë edhe më mirë dhe duhet të bëjmë edhe më shumë se kurrë”, tha Daçiq.

Kur është fjala për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore, ai theksoi se “kërcënimet për Kosovën” nuk kanë qenë kurrë më të hapura, derisa ka shtuar “nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës”.
“Ne do të luftojmë që serbët të mos vuajnë më, është koha që populli ynë të jetë i mençur dhe të fitojë pa derdhur gjak”, tha ai.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbinë e presin javë dhe muaj të vështirë, sepse sipas tij, qëllimi i bashkësisë së organizuar ndërkombëtare është të detyrojë Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës, pas vizitës së nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës fillore “Sveti Sava” në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se çështjet kyçe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), nuk janë zgjedhjet në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – as votimi i komunitetit serb në zgjedhjet e Serbisë, as njohja e dokumenteve dhe targave të autotmjeteve, por vetëm njohja e Kosovës.

“Ne do të jemi nën shumë presion, ata do të përdorin dhe keqpërdorin situatën që Serbia ka diçka për të humbur, prandaj i vendosin shqiptarët nën sanksione që nuk janë aq serioze dhe në fakt po shantazhojnë Serbinë, sepse ne kemi diçka për të humbur”, ka deklaruar presidenti serb në një konferencë për shtyp të dielën në Beograd.

Vuçiq ka përsëritur se nuk do të nëshkruajë Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa ka shtuar se këtë ua ka thënë “rreth 1000 herë” përfaqësuesve të BE-së dhe liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

MARKETING