Covey: UÇK-ja përbëhej nga njerëz me autoritet, shumica ishin të dhunshëm

Covey: UÇK-ja përbëhej nga njerëz me autoritet, shumica ishin të dhunshëm

Në Hagë po vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, teksa pyetjet për dëshmitarin James Covey i ka filluar trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe. Sipas deklaratës së dëshmitarit të cilën e lexoi gjyqtari, Covey kishte thënë që sipas mendimit të tij, UÇK-ja ishte një lëvizje tejet e decentralizuar dhe shpesh “pa lidhje në mes krahëve të saj”. Kishte thënë se UÇK-ja përbëhej nga persona kryesisht të fuqishëm dhe autonom, e që shumica ishin të dhunshëm.

Shumica prej këtyre personave, sipas dëshmitarit, kishin pak respekt ose fare për Thaçin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kjo është një përshtypje që e kemi marrë nga shumë burime të cilave iu kemi besuar, ose nga raportimet e OSBE-së që kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së konfliktit, nga raportet ditore të KFOR-it dhe është një proces me osmozë i cili rezultoi në këtë përfundim me të cilin ramë dakord të gjithë”, tha Covey.

Kur u pyet se kush ishin këta persona të fuqishëm që e drejtonin UÇK-në, dëshmitari tha se ndër ta ishin Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj.
“Kemi përmendur deri tani zotin Lushtaku, Ramush Haradinaj, ishte një tjetër. Këtu kemi të bëjmë me dy personalitete radikale të ndryshme. Ka patur edhe të tjerë por nuk më kujtohen të gjitha karakteret e kësaj lëvizje”, tha Covey.

Dëshmitari tha se hamendëson që vetëm një herë e ka takuar Thaçin në pranin të komandantëve të zonave.

Në dëshminë e tij që u lexua nga gjyqtari, dëshmitari kishte thënë se Thaçi ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka ndihmuar që t’i çojnë më tej synimin e paqeruajtësve duke e ndarë mendjen, pushtetin dhe meritat me personat që kishte denoncuar më parë.
“Kryesisht bëhet fjalë për zotin Rugova të cilin më parë zoti Thaçi e kishte sharë në mënyrë dramatike dhe në fillim dukej se kishte armiqësi të konsiderueshme ndaj tij. Me kalimin e kohës dhe në kuadrin e zhvillimeve ai e ndryshoi këtë sjellje në mënyrë thelbësore brenda disa muajve. Filloi të ndante pushtetin më atë, vendin më atë dhe këtu bëhej fjalë për politikan. Si të thuash ndarja e vëmendjes është e vështirë për një politikan. Pra, ai po ndante pushtetin dhe vëmendjen me atë person të cilin e kishte sharë më parë. Nuk kam dijeni që ai të ketë patur të njëjtën armiqësi ndaj zotit Qosja por unë kryesisht e kisha ndërmend zotin Rugova”, u shpreh ai.

MARKETING