Çmimet e naftës në tregun botëror janë rritur për 20%

Çmimet e naftës në tregun botëror janë rritur për 20%

Çmimet e naftës bruto janë rritur me më shumë se 20 për qind në tregun global ndërsa konflikti i gjerë rajonal në Lindjen e Mesme kërcënon furnizimet globale të energjisë. Çmimet e naftës kanë kaluar mbi 100 dollarë për fuçi pas pasojave të luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit. Nafta brent u rrit me më shumë se 30 për qind të dielën, duke arritur në një moment mbi 119 dollarë për fuçi. Kjo rritje shënoi herën e parë që nafta kalon mbi 100 dollarë për fuçi që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Çmimet e naftës ranë përsëri në rreth 110 dollarë për fuçi pasi Financial Times raportoi se ministrat e financave të G7-tës do të diskutojnë lirimin e rezervave të naftës në koordinim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë.  Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, disa vende të G7, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur tashmë mbështetje për një ndërhyrje të tillë. Analistët sugjerojnë se një lirim i koordinuar prej 300 deri në 400 milionë fuçish mund të ndihmonte në stabilizimin e tregut. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reanguar në rrjetin social Truth Social pas kësaj rritjeje të ndjeshme të çmimeve të naftës, duke minimizuar pasojat negative të luftës dhe duke thënë se, pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë, ky konflikt ia vlen.

Tabelë: Donal Trump, president i SHBA-së

“Çmimet afatshkurtra, të cilat do të bien masivisht kur programi bërthamor i Iranit të shkatërrohet, janë një çmim i vogël që Shtetet e Bashkuara dhe bota duhet të paguajnë për të arritur paqen dhe sigurinë”.

Komisioni Evropian tha sot se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian aktualisht mbajnë midis 85 dhe 90 ditëve rezerva nafte emergjente dhe se nuk ka shqetësim të menjëhershëm për mungesat e furnizimit pavarësisht rritjes së çmimeve globale të energjisë.

Anna-Kaisa Itkonen, zëdhënëse e KE-së

“Ne jemi shumë më pak të shqetësuar për sigurinë e furnizimit sesa për çmimet e larta të energjisë. Ky moment është një kujtesë e përsosur për t’u përqendruar në forcimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë sonë energjetike, dhe ne e kemi bërë këtë për vite me radhë. Nuk ka mungesë të menjëhershme të furnizimit me naftë në Evropë”, shtoi Itkonen duke vënë në dukje se të gjitha shtetet anëtare mbajnë rezerva emergjente ekuivalente me të paktën midis 85 dhe 90 ditëve të konsumit.

Çmimet e naftës bruto janë rritur rreth 50 për qind që nga momenti kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta ndaj Iranit më 28 shkurt. Irani ka ndaluar praktikisht transportin detar në Ngushticën e Hormuzit si kundërpërgjigje, duke rrezikuar rreth një të pestën e furnizimit global me naftë. Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti – tre nga prodhuesit më të mëdhenj në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) – kanë ulur prodhimin për shkak të grumbullimit të fuçive të naftës që nuk mund të transportohen për shkak të mbylljes efektive të kësaj rruge detare.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING