Cili ishte qëllimi i vizitës së shefit të CIA-s në rajon dhe Kosovë?
Situata e brishtë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ka alarmuar Uashingtonin.
Bëhet fjalë për Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), William Burns.
E para se të vinte në Prishtinë, Burns ishte në Bosnje dhe në Serbi, ku pati takime me krerët shtetëror të të dyja vendeve.
Ish – zëvendës ministri i punëve të brendshme, Valdet Hoxha, thotë se kjo vizitë e shefit të CIA-s dëshmon se SHBA-ja është shumë e përkushtuar për sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Vizita e shefit të CIA-s në rajon ka rëndësi të madhe strategjike sepse e demonstron fuqishëm angazhimin dhe vullnetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që njëherë e mirë të stabilizohet kjo pjesë e Ballkanit. SHBA-ja i ka vënë disa vija të kuqe dhe këtë e shohim më së miri nga deklaratat që i dha Milorad Dodik, i cili theksoi se nuk do të shkëputje të Republikës Sërpska nga Bosnja Hercegovina”, është shprehur Hoxha.
Kurse eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se situata e sigurisë është e shume e ndjeshme në Bosnje Hercegovinë dhe se ka tendenca të qarta nga nacionalistët serbë të udhëhequr nga Dodik për shkëputje.
Mirëpo sipas Ibishit, Uashingtoni nuk do të tolerojë që në asnjë formë që shkelet Marrëveshja e Daytonit.
“Kjo vizitë tregon më së miri se sa e brishtë është situata në Ballkan. Kur po flas për këtë situatë të brishtë e kam në mendje veçanërisht Bosnje dhe Hercegovinën sepse atje ka më të vërtetë tendenca për ndarje të vendit nga nacionalistet serbë në krye me ekstremistin, Milorad Dodik” , thotë Ibishi.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.