Çfarë përmban pakoja ushtarake 652 milionë dollarëshe që SHBA do t’i shesë Ukrainës?

Çfarë përmban pakoja ushtarake 652 milionë dollarëshe që SHBA do t’i shesë Ukrainës?

Pasi negociatat ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, më 23 korrik, përfunduan pa ndonjë përparim të madh, Uashingtoni njoftoi se do t’i shesë Kievit një pako pajisjesh ushtarake në vlerë prej 322 milionë dollarësh.

Një ditë më pas, Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur aprovimin e shitjes së një pakoje tjetër ushtarake për Ukrainën, që kushton 330 milionë dollarë.

Dy sisteme të armëve, të cilat Ukraina tashmë i përdor, do të përforcohen me pajisje dhe mbështetje shtesë në kuadër të shitjes së pakos së parë, sipas një komunikate për media nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Uashingtoni thotë se Ukraina do të mund të blejë “artikuj dhe shërbime të ndërlidhura të mbështetjes për sistemin raketor HAWK”, me vlerë prej 172 milionë dollarësh.

HAWK është akronim për Homing All The Way Killer, emër që i është dhënë raketës për shkak të aftësisë së saj për t’u drejtuar deri në momentin e goditjes.

Arma është krijuar në vitet ’50, për mbrojtje ndaj aeroplanëve të shpejtë luftarakë dhe ndaj disa raketave. Raketat HAWK ishin dislokuar përgjatë vijës bregdetare të Floridës, gjatë Krizës Kubane me Raketa, më 1962.

Një lëshues i raketave HAWK, i fotografuar në Floridë, gjatë Krizës Kubane me Raketa, më 1962.

Sistemi HAWK është joefektiv përballë shumë prej raketave të shpejta dhe moderne, ndërsa ushtria e SHBA-së e ka zëvendësuar sistemin me raketa Patriot në vitet ’90. Por, kërcënimet aktuale ndaj qyteteve ukrainase, që përfshijnë dronët e ngadalshëm Shahed, të prodhimit iranian, i kanë dhënë HAWK-ut një rol të ri.

Versionet e sistemit që i janë dhënë më parë Ukrainës raportohet të kenë arritur sukses në pengimin e bombardimeve ruse. Ushtria ukrainase ka pohuar se një sistem i vetëm HAWK ka rrëzuar 40 dronë dhe 14 raketa.

 

MARKETING