Çavuşoğlu për djegien e Kuranit: Qeveria suedeze partnere në këtë krim

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me djegien e Kuranit në Suedi ka deklaruar se qeveria suedeze është “partnere në këtë krim”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Qeveria e Suedisë është bërë partnere në këtë krim (djegien e Kuranit), duke lejuar këtë akt të neveritshëm”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.
Nga ana tjetër, edhe ministri Daçiq foli lidhur me djegien e Kuranit në Suedi.
“Nuk mund të besoj se një ngjarje e tillë ka ndodhur në një vend që është pjesë e Perëndimit. Kjo është një tragjedi e madhe”, theksoi Daçiq.
Ministri Çavuşoğlu foli edhe për zhvillimet e fundit në Jenin të Bregut Perëndimor, duke apeluar që “qeveria e Izraelit të ndalojë sulmet dhe provokimet e tilla”. Ai po ashtu shprehu ngushëllimet e tij për “vëllezërit dhe motrat tona të ndjera”.