Bytyqi: Investim i ri 13,5 milionë euro dhe mbi 500 vende të reja pune për qytetarët e rajonit të Pellagonisë

Bytyqi: Investim i ri 13,5 milionë euro dhe mbi 500 vende të reja pune për qytetarët e rajonit të Pellagonisë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, vizitoi kompaninë Brainchild Production, e cila prodhon pajisje sportive të destinuara për sporte ujore me erë, ose më saktë pajisje që përdoret për surfing në sipërfaqe ujore.

Në deklaratën e tij pas vizitës, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se Brainchild është një kompani progresive dhe ambicioze që planifikon zhvillimin e saj në Maqedoninë e Veriut, që është një konfirmim se në vendin tonë kemi një mjedis ekonomik tërheqës dhe stimulues që krijon besim dhe siguri te investitorët dhe i inkurajon ata të zgjerojnë aktivitetet e tyre afariste.

“Brainchild planifikon të themelojë dy kompani të reja, njëra prej të cilave do të jetë në zonën e prodhimit, kurse tjetra do të fokusohet në aktivitete kërkimore-zhvilluese, me një vlerë totale investimi mbi 13,5 milionë euro. Vlera e investimit të planifikuar në prodhim është 11,5 milionë euro, me të cilat do të hapen 275 vende të reja pune në pesë vitet e ardhshme dhe me synimin e parashikuar që në 10 vite të realizohen gjithsej 530 vende pune”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se në fushën e kërkimit dhe zhvillimit, Brainchild planifikon një investim prej 2 milionë eurosh, i cili do të hapë 35 vende të reja pune, të cilat do t’u japin qytetarëve të rajonit të Pellagonisë mundësinë për të përdorur dhe avancuar njohuritë e tyre përmes proceseve të punës që zhvillojnë dhe krijojnë vlerë shtesë konkurruese të produkteve përfundimtare.

“Për realizimin e investimeve kompania tashmë ka siguruar parcela ndërtimore në zonën industriale Zhabeni dhe aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së Marrëveshjeve për Ndihmën Shtetërore në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, Bytyqi, nënvizoi se me realizimin e këtij investimi tregon se si vend kemi ndërtuar kapacitete dhe kushte reale për nxitjen dhe realizimin e investimeve të reja në sektorin real, të cilat krijojnë vende të reja pune dhe të paguara mirë, të cilat zbulojnë horizonte të reja për zhvillimin dhe mbindërtimin e aftësive dhe njohurive të punës në përputhje me nevojat e proceseve të prodhimit të teknologjisë së lartë.

Ralf Hening Grosel, pronar dhe menaxher i Brainchild Production deklaroi se kompania e tyre prodhon pajisje sportive për sporte ujore me erë nga materiale ekologjike dhe të qëndrueshme duke përdorur teknologjitë më moderne, me kapacitete prodhuese në vende të ndryshme përfshirë kontinentin e Azisë, por që kushtet për kompanitë, veçanërisht me mbështetjen e Qeverisë për investime, ishin thelbësore që biznesi i tyre të zhvendosej në Maqedoninë e Veriut.

“Duke qenë se tregu ynë kryesor është në Evropë, ne menduam ta sjellim prodhimin tonë këtu. Fakti që Maqedonia e Veriut është në zemër të Evropës dhe ka potencial të madh në fuqinë punëtore, por në të njëjtën kohë ofron mbështetje financiare nga Qeveria për investime, ishte shumë premtues për ne, veçanërisht në planet për të ndërtuar një kapacitet të ri prodhues prej 10 mijë metra katrorë”, tha Grosel.

MARKETING