Busra, qyteti në Siri ku Profeti Muhamed takoi priftin Bahira

Busra, qyteti në Siri ku Profeti Muhamed takoi priftin Bahira

I vendosur në jug të Sirisë, në kryqëzimin e rrugëve tregtare që shtrihen nga Meka në Damask gjatë gjithë historisë, qyteti i lashtë Busra (Bosra) njihet për strukturën e pasur historike, duke qenë se ka pritur qytetërime të shumta, ndërkohë ai ka një vend të veçantë në historinë islame si vendi ku Profeti Muhamed (a.s) u takua me priftin Bahira, raporton Anadolu.

I vendosur 40 kilometra nga qendra e qytetit Dara, pranë kufirit jordanez dhe 140 kilometra nga Damasku, Busra shquhet për historinë e saj me shumë faza që shtrihet nga Perandoria Romake në Perandorinë Osmane.

Gazetari i AA-së përpiloi sfondin historik dhe rëndësinë e qytetit nga dokumente nga Ministria siriane e Turizmit dhe informacione nga burime të hapura.

Emri i qytetit është shfaqur për herë të parë në listat e qyteteve të Faraonit egjiptian Thutmose III në shekullin e 15-të (para Krishtit). Është regjistruar si “Buzruna” në pllakat Al-Amarna të shekullit të 14-të para Krishtit.

Busra, një nga qytetet e rëndësishme të Mbretërisë Nabateane në periudhën para-romake, u bë kryeqyteti i provincës Arabistan gjatë periudhës romake.

Gjatë periudhës bizantine, Busra u ngrit për t’u bërë një treg i madh dhe qendër fetare. Busra, një nga qytetet e para bizantine të pushtuara nga ushtritë islame në vitin 634, u bë qendër e rëndësishme fetare dhe kulturore gjatë periudhës Umajade.

Qyteti, i cili ka qenë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1980, është i njohur për teatrin e tij madhështor romak dhe objektet nga periudhat e hershme të Islamit.

– Pikëndalesë për karvanet që udhëtonin nga Meka në Damask

Gjatë gjithë historisë, Busra ka qenë në kryqëzimin e rrugëve tregtare që shtriheshin nga Meka në Damask dhe prej andej në portet mesdhetare.

Një ndalesë e shpeshtë për karvanet e deveve, qyteti shërbeu si një qendër e tregtisë rajonale nga romakët deri te osmanët.

Qyteti shërbeu si një depo tregtare, duke mbledhur prodhime nga rajonet e gjera bujqësore përreth dhe duke i transportuar ato në qendra më të mëdha.

– I njohur si vendi ku Profeti Muhamed takoi priftin Bahira

Busra mban një vend të veçantë në historinë islame. Sipas burimeve të historisë së jetës së Profetit… para se Muhamedi të bëhej profet, ai udhëtoi dy herë në Busra. Gjatë udhëtimit të tij të parë kur ishte 9 ose 12 vjeç dhe i shoqëruar nga xhaxhai i tij Ebu Talibi, një klerik që jetonte në një manastir në Busra, një prift me emrin Bahira e pa Muhamedin dhe i tha se ai do të bëhet profet.

Udhëtimi i tij i dytë ndodhi në moshën 25 vjeç, ndërsa udhëhiqte karvanin e Hatixhes. Gjatë këtij udhëtimi, murgu Nastura, duke vënë re vendin ku ai ndaloi, tha për Muhamedin “Askush përveç profetit nuk ka zbritur kurrë nën këtë pemë”.

Ekipi i AA-së filmoi gjendjen aktuale të manastirit, të emëruar sipas priftit Bahira.

Vetëm disa rrënoja kanë mbijetuar nga manastiri, i cili besohet të jetë ndërtuar rreth 1.500 vjet më parë. Pjesët e mureve prej guri, themeleve të kolonave dhe pjesës së gjysmë-rrethore (absidës) së strukturës, që mendohet se datojnë që nga periudha e hershme e krishterë, janë ende në këmbë.

Ahmed al-Miqdad, një nga banorët e zonës që kryen guida turistike në qytet tha: “Ky është qytet i lashtë. Njihet si zona ku Profeti Muhamed takoi priftin Bahira kur ishte fëmijë. Bahira u njoh me Profetin këtu. Para luftës, afro 40 mijë njerëz jetonin në qytetin e Busrës (qyteti i lashtë dhe rrethinat e tij), ndërsa vetëm 5.000 njerëz jetonin në qendër të qytetit të lashtë”.

“Njerëzit jetonin këtu dhe ishte destinacion i madh turistik. Si rezultat i sulmeve nga regjimi i Asadit dhe milicitë e mbështetura nga Irani, 99 për qind e popullsisë vendase u zhvendos. Manastiri u dëmtua nga sulmet”, tha ai.

Gjithashtu Miqdad tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e rajonit duke ndarë detaje që dinte për takimin midis priftit Bahira dhe Profetit Muhamed. Ai theksoi se dëmet e shkaktuara nga regjimi i rrëzuar Baath nuk ishin riparuar dhe i bëri thirrje qeverisë së re siriane të restaurojë zonën dhe ta hapë atë për turizëm.

– Xhamia Mabrak Al-Naqa në gjendje të rrënuar

E vendosur në pjesën verilindore të qytetit të lashtë, xhamia Mabrak Al-Naqa (xhamia e vendit ku u gjunëzua deveja) njihet për memorien e saj të shenjtë dhe ka rëndësi shpirtërore për muslimanët në mbarë botën.

Në “Librin Udhëtimi”, udhëtari i njohur musliman Ibn Battuta thotë se deveja që mbante kopjen e parë të Kuranit të dërguar në Siri (Damask) u gjunjëzua këtu dhe se kopja u ruajt atje. Ibn Battuta vë në dukje se pasi largoheshin nga Damasku, haxhinjtë shkonin në qytetin e vogël Busra dhe se e kishin bërë zakon të qëndronin aty 4 ditë, në mënyrë që ata që mbeteshin të arrinin karvanin.

Xhamia, e ndërtuar në vendin ku u gjunjëzua deveja në Busra, është bërë vend i rëndësishëm adhurimi dhe vizitash për banorët vendas. Struktura, e cila qëndron në këmbë sot, mbetet një nga strukturat e njohura të Busrës, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si me rëndësinë e saj fetare ashtu edhe me vlerën arkeologjike.

Muezini i xhamisë, Abdullah Nicim tha se xhamia u ndërtua në vendin ku deveja e Profetit Muhamed u gjunjëzua, duke thënë “Deveja që mbante Kuranin u gjunjëzua këtu. Deveja (e cila u soll brenda për mbrojtje) u gjunjëzua mbi këtë shkëmb dhe pastaj vazhdoi për në Damask”.

Ai tha se struktura historike ka nevojë për mirëmbajtje. “Xhamia aktualisht ka nevojë për ndriçim. Nëse ka të paktën një panel diellor, ata që vijnë në xhami mund ta lexojnë Kuranin brenda”, shtoi Nicim.

Muslimanët vazhduan të udhëtonin në Busra për tregti pas hixhretit. Në të vërtetë, hazreti Ebu Bekri udhëtoi në Busra për tregti me dy shokë që morën pjesë në Betejën e Bedrit para vdekjes së Profetit Muhamed.

Sipas burimeve nga jeta e profetit në Enciklopedinë Islame të Fondacionit Fetar Turk (TDV), Busra u pushtua në mënyrë paqësore në fillim të vitit 634 pas një rrethimi të shkurtër nga Khalid ibn al-Walid me urdhër të Kalifit Ebu Bekr. Me Damaskun që u bë kryeqytet gjatë periudhës Umajade, rëndësia e Busrës filloi të binte dhe kjo situatë vazhdoi gjatë periudhës Abaside.

Kur Busra ra nën sundimin osman, Sulltan Selimi I ndërtoi një fortesë në Muzajrib dhe e zhvendosi qendrën administrative të rajonit atje.

Gjatë periudhës osmane, Busra u bë një fshat me disa qindra familje, i njohur si Damasku i Vjetër, brenda distriktit Havran të provincës së Damaskut dhe i paguante një shumë të caktuar taksash guvernatorit. Evliya Çelebi në shkrimet e tij, e përshkruan Busrën si një fshat të begattë me 300 familje dhe një xhami.

Disa fise turkmene që jetonin në Anadoll vinin në Busra për të kaluar dimrin dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre në pranverë. Një familje e madhe me prejardhje nga sahabët (shkokët e profetit) Miqdad ibn Esved dhe që emërtohej Miqdadiyya jetonte në Busra. Për shkak të prestigjit të tyre në Perandorinë Osmane dhe veçanërisht në sytë e Abdulhamid II, Hekurudha e Hexhazit u zgjerua me një linjë degëzimi midis Muzajribit dhe Busrës gjatë ndërtimit të hekurudhës.

– Ofron udhëtim në kohë

Gjatë gjithë historisë, Busra është ndikuar nga qytetërimet akadiane, amoreje, kananease dhe arameane si dhe nga qytetërimet romake dhe bizantine dhe strukturat e saj historike u ofrojnë vizitorëve udhëtim në kohë.

Rajoni krenohet me struktura të shquara historike si Teatri Romak (teatri i lashtë), Kështjella e Busrës, Tempulli i Serir Bint al-Malik, Harku i Triumfit dhe portat Al-Hawa dhe Al-Nabati.

Teatri Romak, një nga strukturat ikonike të Busrës, u ndërtua në shekullin e 2-të gjatë mbretërimit të perandorit Trajan. Me një kapacitet prej 15 mijë personash dhe punime me gurë bazalti, ai mbetet struktura më madhështore në rajon.

Nga shekulli i 7-të e tutje, rreth teatrit u shtuan fortifikime të trasha, kulla dhe bastione, duke e transformuar atë në një fortesë. Struktura u përdor për qëllime mbrojtëse gjatë kryqëzatave. I konsideruar si një nga të paktat teatro të lashta romake plotësisht të paprekura në botë, muret dhe kullat përreth janë ende të dukshme.

Gjatë luftës civile siriane, shumë struktura historike në qytetin e lashtë u dëmtuan nga sulmet e forcave të regjimit të rrëzuar. Nëse turizmi ringjallet, Busra mund të bëhet përsëri një destinacion turistik.

– U bë fortesë e demonstratave kundër regjimit të Asadit, u dëmtua nga sulmet

Busra ishte një ndalesë kyçe për demonstratat paqësore popullore kundër regjimit që filluan në jug të vendit në mars të vitit 2011 në Siri. Mijëra njerëz morën pjesë në demonstrata çdo të premte pas lutjeve gjatë gjithë luftës civile, duke u përpjekur të bënin që zëri i tyre të dëgjohej.

Ndërsa forcat e regjimit filluan të humbnin kontrollin e jugut, ato filluan të shënjestronin rajonin nga ajri dhe toka. Forcat e regjimit të rrëzuar të Asadit e përdorën Teatrin e Busrës si një pikë ushtarake në sulmet e tyre ndaj popullsisë lokale.

Ekipi i AA-së ka regjistruar me dron gjendjen më të fundit të strukturave historike dhe të shtëpive të evakuuara të cilat janë përballur me sulmet në rajon.

MARKETING