Bruksel, hyjnë sot në fuqi regullat e reja të transparencës për modelet e IA-së ChatGPT dhe Gemini

Nga sot, në Bashkimin Evropian hyjnë në fuqi rregullat e reja që kërkojnë transparencë më të madhe për modelet e inteligjencës artificiale (IA) me përdorim të përgjithshëm, si ChatGPT dhe Gemini.
Këto masa bëjnë pjesë në Aktin për Inteligjencën Artificiale, i miratuar vitin e kaluar, dhe synojnë të rrisin përgjegjshmërinë në zhvillimin dhe përdorimin e këtyre teknologjive.
Sipas rregullave të reja, zhvilluesit duhet të zbulojnë mënyrën se si funksionojnë modelet e tyre dhe burimet e të dhënave që përdorin për trajnimin e tyre. Modelet më të avancuara, që mund të paraqesin rrezik për përdoruesit, janë të detyruara të raportojnë edhe masat e sigurisë që kanë marrë për mbrojtjen e publikut.
Inteligjenca artificiale me përdorim të përgjithshëm përfshin sisteme që mund të kryejnë një gamë të gjerë detyrash, si krijimi i tekstit, përpunimi i gjuhës natyrore apo edhe programimi.
Një aspekt i rëndësishëm i ligjit është edhe mbrojtja e të drejtave të autorit. Zhvilluesit duhet të raportojnë nëse kanë përdorur metoda automatike për mbledhjen e të dhënave nga interneti dhe të tregojnë se si mbrojnë pronën intelektuale. Ata janë të detyruar gjithashtu të caktojnë pika kontakti për mbajtësit e të drejtave.
Megjithatë, disa shoqata që përfaqësojnë autorë, artistë dhe botues kanë kritikuar ligjin, duke thënë se nuk është mjaftueshëm i detajuar dhe i fuqishëm. Për shembull, iniciativa gjermane “Initiative Urheberrecht” kërkon që të specifikohen grupet e të dhënave dhe domenet e përdorura.
Ndërkohë, zbatimi i plotë i këtij ligji do të nisë në vitin 2026 me krijimin e Zyrës Evropiane për Inteligjencën Artificiale, e cila do të monitorojë modelet e reja, ndërsa modelet ekzistuese do të jenë nën vëzhgim nga viti 2027.
Shkeljet e rregullave mund të sjellin gjoba deri në 15 milionë euro ose deri në 3% të xhiros vjetore globale të kompanive.
Për të ndihmuar zhvilluesit në përputhshmëri, Komisioni Evropian ka publikuar edhe udhëzime vullnetare dhe një kod sjelljeje. Google, krijuesi i modelit Gemini, ka njoftuar se ka ndërmend të nënshkruajë këtë kod, por paralajmëron se disa nga kërkesat mund të frenojnë inovacionin.