Britania në kaos, shoferët dhe mësuesit marrin pjesë në grevën më të madhe të dekadës
Mësuesit dhe shoferët e trenave janë mes 500,000 punëtorëve në grevë sot, në grevën më të madhe të Britanisë në më shumë se një dekadë.
Nëpunësit civilë, profesorët e universitetit, shoferët e autobusëve dhe rojet e sigurisë do të marrin pjesë ndërsa protestat do të zhvillohen në të gjithë vendin kundër planeve të diskutueshme të qeverisë.
Downing Street tha se 600 personelë ushtarakë, si dhe nëpunës civilë dhe vullnetarë, janë trajnuar për të mbushur boshllëqet në shërbimet publike. Paul Nowak, sekretari i përgjithshëm i TUC, tha se një peticion me më shumë se 250,000 firma që kundërshtojnë ligjet e reja të ashtuquajtura “anti-grevë” do të dorëzohet në Doëning Street.
Punonjësit e shërbimit publik të Britanisë janë të bllokuar në një mosmarrëveshje të gjatë mbi pagat dhe kushtet e punës pasi një dekadë shkurtimesh dhe ngrirje pagash u pasuan nga një inflacion i lartë ndëshkues, raportojnë mediat britanike.
Rreth 200,000 mësues të Sindikatës Kombëtare të Arsimit do t’i bashkohen grevës nesër. Rreth 23,000 shkolla dhe potencialisht miliona studentë do të preken si pasojë e grevave.
Sipas raportit të Daily Mail, Britania është nën një regjim mini-bllokimi për shkak të grevës. Më shumë se shtatë milionë fëmijë do të humbasin mësimet sot për shkak të grevës, ndërsa rreth 85% e shkollave shtetërore në Angli dhe Uells, deri në 23,000 në total, pritet të mbyllin dyert për nxënësit e tyre, të cilët do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi pasi mësuesit e tyre janë në grevë.
Të mërkurën, mësuesit në grevë do t’i bashkohen aksionit të grevës së bashku me 100,000 nëpunës civilë, 70,000 staf universiteti dhe mijëra shoferë treni dhe oficerë të Forcave Kufitare.
Sekretarja e Arsimit, Gillian Keegan tha se ishte “e zhgënjyer” nga greva e mësuesve në Angli dhe Uells. Keegan tha se grevat ishin të panevojshme pasi bisedimet me sindikatat po vazhdonin.
Greva të reja janë paralajmëruar gjithashtu për fund të këtij muaji. Mijëra punonjës të Agjencisë së Mjedisit pritet gjithashtu të dalin në grevë më 8 shkurt.