Britania do mbyll rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç? Çfarë parashikon nisma

Britania do mbyll rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç? Çfarë parashikon nisma

Qeveria britanike ka nisur një konsultim publik për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, si pjesë e një pakete masash që synojnë mbrojtjen e mirëqenies së të rinjve.

Paketa parashikon gjithashtu që Ofsted (inspektorati i arsimit në Angli) të ketë kompetenca për të kontrolluar politikat e shkollave mbi përdorimin e telefonave, me synimin që shkollat të jenë “pa telefona” si standard.

Nisma vjen pasi Australia vendosi në dhjetor 2025 ndalimin e parë në botë të rrjeteve sociale për nën 16-vjeçarët, duke shtyrë edhe vende të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, të shqyrtojnë masa të ngjashme.

Megjithëse disa ekspertë dhe organizata për mbrojtjen e fëmijëve janë skeptikë, ideja ka mbështetje të fortë politike. Mbi 60 deputetë laburistë i kanë kërkuar kryeministrit veprim konkret.
Qeveria ka njoftuar se konsultimi do të zgjasë tre muaj dhe do të përfshijë prindër, të rinj dhe organizata të shoqërisë civile. Gjithashtu do të shqyrtohet forcimi i verifikimit të moshës dhe kufizimi i funksioneve që nxisin përdorim të tepruar dhe varësi nga rrjetet sociale.
Ndërkohë, sindikatat e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave e kanë përshëndetur konsultimin, por kanë shprehur shqetësime për rolin e Ofsted.

Nga ana tjetër, disa akademikë dhe organizata si Childnet paralajmërojnë se një ndalim i përgjithshëm mund të mos jetë zgjidhja e duhur, pasi rreziqet mund të zhvendosen në platforma të tjera online dhe të krijohet një ndjenjë e rreme sigurie.

MARKETING