Britania dhe Franca në OKB: Kosova duhet njohur ndërkombëtarisht, kriminelët e Banjskës të gjykohen

Britania dhe Franca në OKB: Kosova duhet njohur ndërkombëtarisht, kriminelët e Banjskës të gjykohen

Britania e Madhe ka bërë thirrje ndaj shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe zhvillimin e plotë të vendit.

Përfaqësuesja britanike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.

“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës,” tha ajo.

Britania gjithashtu bëri thirrje që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiqin dhe kritikoi sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Francës në OKB, Jay Dharmadhikari, kërkoi që kryesit e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë.

“Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas këtyre ngjarjeve. Është kritike që të gjithë kryesit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë,” tha Dharmadhikari.

Deklaratat e Britanisë dhe Francës vijnë gjatë shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit, sundimit të ligjit dhe njohjes ndërkombëtare të vendit./Telegrafi/

 

MARKETING