Britania dënon vendimin e Izraelit për ndërtimin e 22 vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor

Britania dënon vendimin e Izraelit për ndërtimin e 22 vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor

Ministri britanik për Lindjen e Mesme dënoi sot miratimin e qeverisë izraelite për vendbanime të reja të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

“Miratimi i qeverisë izraelite për 22 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar është pengesë e qëllimshme për shtetësinë palestineze”, tha Hamish Falconer në një postim në X.

“Mbretëria e Bashkuar i dënon këto veprime. Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Rrezikojnë më tej zgjidhjen me dy shtete dhe nuk e mbrojnë Izraelin”, shtoi ai.

Sipas raportimeve që qarkulluan fillimisht të martën, Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka miratuar “fshehurazi” ndërtimin e 22 vendbanimeve të reja kolone të paligjshme në tokën palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi korrikun e kaluar se pushtimi i gjatë i territoreve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Sipas shifrave palestineze, kolonët e paligjshëm kanë organizuar 341 sulme kundër palestinezëve dhe pronave të tyre në Bregun Perëndimor muajin e kaluar.

Që nga fillimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023, të paktën 970 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 7.000 të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve të paligjshëm në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

MARKETING