Brazili do t’i përgjigjet me reciprocitet tarifës prej 50 për qind të Trumpit

Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva tha se do t’i përgjigjen vendimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për tarifën doganore prej 50 për qind ndaj produkteve të importuara nga Brazili, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, Lula da Silva paralajmëroi se sipas Ligjit të Reciprocitetit Ekonomik të Brazilit do t’i përgjigjen çdo hapi të SHBA-së për të rritur në mënyrë të njëanshme tarifat.
Ai shtoi se Brazili është vend sovran me institucione të pavarura që nuk do të jenë instrumente në interes të asnjë vendi tjetër. Lula da Silva tha se SHBA-ja ka suficit tregtar prej rreth 410 miliardë dollarësh me Brazilin gjatë 15 viteve të fundit.
Lula da Silva tha se të gjitha kompanitë vendase dhe të huaja, duhet të zbatojnë ligjin brazilian në vend. “Çdo rritje e njëanshme e tarifave do të trajtohet sipas Ligjit të Reciprocitetit Ekonomik të Brazilit. Sovraniteti, respekti dhe mbrojtja e palëkundur e interesave të popullit brazilian janë vlerat që udhëheqin marrëdhëniet tona me botën”, tha ai.
– Trump njoftoi tarifat e reja që do të zbatohen ndaj produkteve braziliane
Presidenti amerikan Trump njoftoi më parë se ndaj produkteve braziliane do të zbatohet tarifa doganore prej 50 për qind në mënyrë të ndarë nga të gjitha tarifat sektoriale.
Ai potencoi se tarifa e re do të hyjë në fuqi më 1 gusht dhe paralajmëroi se produktet që përpiqen të futen në vend në mënyrë indirekte për të shmangur taksën prej 50 për qind do t’i nënshtrohen një tarife më të lartë.