Borrell zbulon datën e takimit të nivelit të lartë Kosovë-Serbi
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel bëri me dije se më 14 shtator do të mbahet në Bruksel takimi i nivelit të lartë Kosovë-Serbi, ku sipas tij do të marrin pjesë liderët e dy vendeve.
Deklarata e Borrell erdhi gjatë një konference me gazetarët pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Mes të tjerash, zyrtari i lartë i BE zbuloi se në fokus të takimit do të jetë gjetja e një zgjidhje për situatën aktuale në veri dhe ulja e tensioneve.
Situata në veriun e Kosovës u tensionua në maj kur grupe qytetarësh serbë protestuan kundër futjes në zyra të kryetarëve shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill dhe që po shoqëroheshin në ceremoni nga forca të shumta policie.
Për shumë ditë pati incidente të dhunshme dhe madje në Zveçan, si pasojë e përleshjeve mbetën të lënduar rëndë dhe disa efektivë të KFOR.
Pas thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe presionit me sanksione, Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja ndërsa ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës për mungesë të bashkërendimit lidhur me zhvillimet në veri.