Borrell në finalizim të raportit për masat ndëshkuese ndaj Kosovës

Borrell në finalizim të raportit për masat ndëshkuese ndaj Kosovës

“Raporti nuk është dorëzuar ende dhe asnjëherë nuk kemi shpallur një datë se kur do të bëhet saktësisht kjo”.Kështu ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kur është pyetur për raportin e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell për masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura vitin e kaluar për shkak të veprimeve të Qeverisë në Veri, i cili pritet t’i dorëzohet vendeve anëtare të Unionit.

“Raporti është ende në finalizim dhe së shpejti do t’u paraqitet Shteteve anëtare në Këshill”, tha Stano në një përgjigje për Kosovapress.

Ndërkaq tri ditë më parë, zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave ndëshkuese për Kosovën nga BE-ja.
“Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, theksoi Bislimi.

Në fillim të këtij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për gazetarët theksoi se “nuk varet prej qeverisë” largimi i masave ndëshkuese të BE-së.

Ai u shpreh se tashmë janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Ndryshe, përveç masave, Kosovës i është anuluar pjesëmarrja edhe në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe 2023’ pas situatës së tensionuar në Veri, ku kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës.

MARKETING