Borrell: Autorët e dhunës në Kosovë duhet të japin llogari

Borrell: Autorët e dhunës në Kosovë duhet të japin llogari

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se dhuna në veri të Kosovës duhet dënuar dhe autorët e saj duhet të japin llogari, raporton Anadolu.

Komentet e shefit të diplomacisë së BE-së erdhën para fillimit të Samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbledh së bashku krerët e vendeve evropiane në kontinent dhe krerët e institucioneve të BE-së në Bulboaca, Moldavi.

“Duhet të insistojmë se dhuna nuk është mënyra”, tha Borrell, duke kujtuar se dje është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe pret të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Të gjithë duhet të përpiqen të shmangin çdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizje të pakoordinuara”, shtoi Borrell.

Duke folur për sulmin e sotëm të Rusisë në Kiev, ku në mesin e viktimave ishin dy fëmijë, ai tha se kjo është një tjetër shenjë se “Rusia vazhdon të sulmojë popullsinë civile në Ukrainë”.

“Shpresoj që prania e kaq shumë liderëve këtu, shumë afër Ukrainës, disa kilometra nga kufiri, do të dërgojë një mesazh të fortë për unitetin e shumë shteteve për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të popullit, për mbrojtjen e sovranitetit të vendeve”, tha Borrell.

Ai gjithashtu theksoi se stabiliteti, lidhshmëria dhe siguria janë tre fjalët kyçe të samitit nga pikëpamja e ndërtimit të një kornize të përbashkët politike për BE-në.

MARKETING