Bllokadë në Kuvend, për herë të 24-të dështon seanca konstituive

Bllokadë në Kuvend, për herë të 24-të dështon seanca konstituive
As në seancën e sotme nuk u arrit të konstituohet Kuvendi i Kosovës, pasi dështoi miratimi i propozimit për formimin e komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi subjektet politike të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por që propozimi sërish dështoi.

Ky komision do t’i hapte rrugë votimit për kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, transmeton Telegrafi.

Kjo ishte tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit.

Seanca u ndërprerë për të vazhduar pas 48 orësh.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.

Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.

Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja./

MARKETING