Bllokada izraelite në Gaza i shtyn fëmijët drejt ushqyerjes së pamjaftueshme dhe sëmundjeve

Bllokada izraelite në Gaza i shtyn fëmijët drejt ushqyerjes së pamjaftueshme dhe sëmundjeve

Bllokada e rreptë që Izraeli ka zbatuar në Rripin e Gazës që nga 2 marsi ka bërë që fëmijët në veçanti të dobësohen dhe të sëmuren si pasojë e ushqyerjes së pamjaftueshme, raporton Anadolu.

Çdo ditë, dhjetëra fëmijë dërgohen në spitale në pjesë të ndryshme të Gazës, të cilat përpiqen të ofrojnë shërbime me burime të kufizuara, për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga kequshqyerja. Është e habitshme që këta fëmijë që dërgohen në spitale kanë mbetur vetëm kockë e lëkurë.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tërhoqi vëmendjen për këtë problem në një deklaratë më 27 qershor ku tha se mesatarisht 112 fëmijë janë dërguar në spitale në Gaza për trajtim kequshqyerjes akute që nga fillimi i vitit.

Zyra për media e qeverisë në Gaza më 28 qershor njoftoi se është rritur në 66 numri i fëmijëve që kanë vdekur për shkak të ushqyerjes së pamjaftueshme.

– Ushqyerja e pamjaftueshme çon drejt sëmundjeve

Spitali “Dëshmorët e Aksasë” në qytetin Deir Balah në Gazën qendrore dhe spitali “Nasser” në qytetin Khan Younis në jug janë të mbushur me fëmijë të sëmurë, të rraskapitur dhe të dobët.

Kreu i Departamentit të Pediatrisë në spitalin “Dëshmorët e Aksasë”, Iyad Abu Muaylak tërhoqi vëmendjen për faktin se departamenti i pediatrisë ka patur shumë dyndje në javët dhe muajt e fundit.

Ai vuri në dukje se ata hasin shpesh pneumoni, infeksione të kraharorit dhe zorrëve tek fëmijët, ndërsa theksoi se pavarësisht se këto janë kryesisht infeksione virale, shkaku themelor është “dobësia e sistemit imunitar që zhvillohet si rezultat i ushqyerjes së pamjaftueshme”.

“40-60 pacientë hyjnë në spital çdo ditë. Ata nuk vijnë direkt për shkak të kequshqyerjes, por kequshqyerja shkakton shumë sëmundje. Kur sistemi i tyre imunitar dobësohet, fëmijët nuk mund t’u rezistojnë sëmundjeve”, deklaroi Muaylak.

Duke i bërë thirrjen botës, “Kini mëshirë për këta fëmijë”, Muaylak kërkoi që spitalet të pajisen me serum, ilaçe, antibiotikë dhe ushqim për fëmijë.

Nënat e foshnjave 3-muajshe Muhammed al-Lawh dhe Rezan Abu Zahir të cilët po marrin trajtim në spital, treguan se fëmijët e tyre u sëmurën sepse nuk mund të ushqehen dhe nuk mund të gjejnë ushqim për fëmijë.

– Nuk i ka mbetur gjak në trup për shkak të kequshqyerjes

Babai i Emel al-Bayyuk, e cila po merr trajtim në spitalin “Nasser” në qytetin Khan Younis, tha se ata vuajnë nga e njëjta gjendje.

Babai tha se vajza e tij më parë ishte fëmijë shumë i shëndetshëm, por u sëmur kur ata emigruan për herë të parë në Rafah dhe se vajza e tij ka alergji ndaj grurit dhe duhet të ndjekë një dietë.

Pasi deklaroi se përfitoi dobi nga dieta, por se nuk kanë mundur ta vazhdonin këtë që kur filloi bllokada e rreptë, babai tha: “Ajo duhet të hajë mish, fruta dhe perime. Tani nuk i gjejmë dot këto. E solla në spitalin ‘Nasser’ 2-3 ditë më parë. Ata thanë se duhet të shtrohet menjëherë në departamentin e të ushqyerit dhe dietës. Ajo peshonte 20 kilogramë, tani peshon 12 kilogramë. Ata po përpiqen të marrin gjak, por pavarësisht se kanë provuar shumë vende, nuk mund të gjejnë gjak”.

MARKETING