Blinken: Po vdesin palestinezë të pafajshëm

Blinken: Po vdesin palestinezë të pafajshëm

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka përfunduar vizitën dy ditore në Izrael dhe Bregun Perëndimor me thirrjet për qetësi mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Blinken u takua me udhëheqësin palestinez, Mahmoud Abbas në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor, një ditë pasi kishte takuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Duke qëndruar përkrah udhëheqësit izraelit, Blinken theksoi rëndësinë që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden i jep zgjidhje konfliktit përmes krijimit të dy shteteve, raporton france24.

Megjithatë, përtej nxitjes së de-përshkallëzimit të tensioneve, Blinken nuk ofroi asnjë mënyrë se si do të arrihet kjo zgjidhje.

Pas takimit me Abbasin, Blinken shprehu “ngushëllime dhe dhimbje për civilët e pafajshëm palestinezë që kanë humbur jetën në përshkallëzimin e dhunës”.

Vitin e kaluar, 235 njerëz u vranë në konfliktet izraelito-palestineze, mes tyre pothuajse 90 për qind ishin palestinezë, sipas statistikave të agjencisë franceze të lajmeve të bazuara në burime zyrtare izraelite dhe palestineze.

OKB-ja vlerësoi se numri i viktimave në Bregun Perëndimor vitin e kaluar ishte më i larti që nga viti 2005.

MARKETING