Blinken kundër armëpushimit humanitar në Gaza

Blinken kundër armëpushimit humanitar në Gaza

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken tha të shtunën se një armëpushim në Rripin e Gazës do t’i mundësonte Hamasit të rigrupohet dhe të përsërisë atë që ndodhi më 7 tetor, duke refuzuar kështu t’i bashkohet thirrjeve të shumta për armëpushim në enklavën e bllokuar palestineze, raporton Anadolu.

“Një armëpushim tani thjesht do ta lërë Hamasin aty ku është, do t’i mundësojë atij të rigrupohet dhe të përsërisë atë që bëri më 7 tetor”, tha Blinken në një konferencë të përbashkët për media në Aman të Jordanisë, me homologët e tij jordanezë dhe egjiptianë pas takimit me liderët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë dhe Palestinës.

Ai shtoi se “është e rëndësishme të riafirmohet e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten dhe detyrimi i tij për ta bërë këtë, dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që 7 tetori të mos ndodhë më”.

“Por, ajo që është gjithashtu e rëndësishme është se si Izraeli e bën këtë dhe kjo është ajo për të cilën ne kemi folur me qeverinë izraelite”, tha Blinken.

Kujtojmë se në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 9.488 palestinezë. “Midis viktimave janë 3.900 fëmijë dhe 2.509 gra ndërsa 24.000 janë plagosur”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra në një konferencë për media në qytetin e Gazës.

Ai shtoi se “70 për qind e viktimave të agresionit janë fëmijë, gra dhe të moshuar”. Sipas tij, “që nga fillimi i agresionit në Gaza, ministria ka marrë raporte për 2.200 të zhdukur nën rrënoja, përfshirë 1.250 fëmijë”.

Këtë javë, ushtria izraelite zgjeroi sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga një ofensivë e papritur nga Hamasi më 7 tetor.

MARKETING