Bislimi pas takimit me Lajçakun: Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, të martën priti në takim emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.
Siç njoftohet, përgjatë takimit u bisedua mbi rrugën përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.
Bislimi ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.
Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët.
Gjithashtu shtoi se Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj, veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiq në dhjetorin e kaluar.
Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se dy vendet duhet të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt të vitit të kaluar.
Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.
“Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.
Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.
Përgjatë konferencës për media, Lajçak është pyetur edhe për raportin që kryediplomati evropian, Josep Borrell ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së, lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë.
Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.
Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.
Lajçak e ka ripërsëritur qëndrimin e tij që masat ndaj Kosovës do të duhej të hiqeshin si shenjë solidariteti pas sulmit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, por që u takon vendeve të BE-së ta marrin atë vendim.
Vendet e BE-së pritet të diskutojnë të mërkurën për raportin e Borrellit.
Kosova e konsideron si terrorist sulmin vdekjeprurës të Banjskës dhe akuzon Serbinë për organizim dhe kryerje të tij, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.