Bislimi: Është arritur pajtim me Serbinë për komisionin për personat e zhdukur
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e radhës të dialogut Kosovë–Serbi, të mbajtura në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Tema kryesore e këtyre takimeve ishte funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së arritur më herët ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas përfundimit të takimeve, Bislimi ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e kohës ka kaluar në takime bilaterale, fillimisht ndërmjet palës kosovare dhe Bashkimit Evropian, e më pas edhe me palën serbe.
“Qëllimi ishte që sot të arrijmë dakordim për ta funksionalizuar Komisionin e Përbashkët për zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv,” ka deklaruar Bislimi.
Ai ka shtuar se në javët e ardhshme pritet që zëvendësit e palëve të takohen për të përcaktuar prioritetet e para të punës së Komisionit të Përbashkët.
I pyetur nëse gjatë takimeve janë trajtuar edhe tema të tjera, Bislimi ka theksuar se çështja e personave të zhdukur ka qenë tema kryesore, ndonëse janë prekur shkurtimisht edhe disa elemente të tjera për të cilat priten lëvizje pas formimit të qeverisë së re.
“Sidoqoftë, pjesa dërrmuese e kohës i është kushtuar jetësimit të Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Zhdukur me Dhunë,” ka përfunduar ai.

