Bisedat tuaja me inteligjencën artificiale shfaqen në Google

Më shumë se 370 mijë biseda nga Grok janë shfaqur në rezultatet e kërkimit në Google pa dijeninë apo lejen e përdoruesve, kur ata kanë përdorur butonin për ndarjen e bisedës që ofron Grok, ka raportuar revista “Forbes”.
Një URL unike, e krijuar nëpërmjet atij butoni, nuk e ka sinjalizuar faqen si diçka që Google duhet ta injorojë, gjë që e ka bërë atë publikisht të dukshme me shumë pak përpjekje.
Fjalëkalime, çështje shëndetësore personale dhe drama dashurie mbushin bisedat që tani janë të qasshme publikisht, dhe në disa raste shfaqen edhe tema më problematike që lidhen me vepra penale.
Transkriptet e bisedave me Grok janë teknikisht anonime, por nëse përmbajnë identifikues, njerëzit mund të kuptojnë kush qëndron pas tyre. Ndryshe nga screenshot-et apo mesazhet private, këto linke nuk kanë afat skadimi apo kontroll qasjeje – sapo të aktivizohen, mbesin gjithmonë të tillë.
Për t’u mbrojtur, së pari ndaloni së përdoruri funksionin “ndarje”, përveç nëse jeni plotësisht të qetë me faktin që biseda juaj mund të bëhet publike.
Nëse tashmë e keni ndarë një bisedë dhe e pendoheni, mund të përpiqeni ta gjeni sërish linkun dhe të kërkoni heqjen e tij duke përdorur veglën e Googlet për heqjen e përmbajtjes. Megjithatë, është një proces i gjatë dhe nuk ka garanci që linku do të zhduket shpejt.
Nëse po bisedoni me Grok përmes platformës X, gjithashtu duhet të rregulloni cilësimet tuaja të privatësisë.
Nëse çaktivizoni opsionin që lejon postimet tuaja të përdoren për trajnimin e modeleve, ndoshta do të keni një mbrojtje më të madhe.
Kjo nuk është e sigurt, por ngutja për të nxjerrë produktet me AI në treg ka bërë që shumë masa mbrojtëse për privatësinë të jenë më të paqarta se çka mund të mendoni.