BIRN: Kështu Serbia e “ngop” me armë Izraelin

BIRN: Kështu Serbia e “ngop” me armë Izraelin

Kompania kryesore shtetërore e eksportit të armëve në Serbi, Jugoimport-SDPR, eksportoi armë dhe/ose municione me vlerë 7.3 milionë euro në Izrael në korrik, duke injoruar, ndër të tjera, apelet e ekspertëve të Kombeve të Bashkuara për të ndaluar shitjet e armëve në atë vend për shkak të krimeve të luftës mbi civilët palestinezë në Gaza.

Sipas të dhënave të eksportit nga portali që mbledh të dhënat e biznesit të institucioneve shtetërore dhe në të cilin BIRN kishte akses, me dërgesën e korrikut, SDPR eksportoi mallra në Izrael në një vlerë totale prej 23.1 milionë euro në vitin 2024.

Këto eksporte po ndodhin gjatë një operacioni ushtarak izraelit në Gaza që ka vrarë më shumë se 40,000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 90,000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Të dhënat e fluturimeve nga Serbia në Izrael

Të dhënat mbi dërgesën në korrik përputhen me pesë fluturime të avionëve ushtarakë izraelitë nga aeroporti Nikola Tesla i Beogradit në bazën ushtarake izraelite Nevatim, të cilat u identifikuan nga BIRN dhe gazeta izraelite Haaretz, duke përdorur të dhëna të disponueshme publikisht nga faqet e internetit që gjurmojnë fluturimet e avionëve.

Në një hetim të mëparshëm, BIRN dhe Haaretz identifikuan gjashtë fluturime, në shkurt, mars dhe maj, të cilat gjithashtu përputheshin me të dhënat e eksportit.

Sipas statistikave të mbledhura nga Haaretz gjatë dhjetë muajve, Serbia është në krye të listës së vendeve nga fluturojnë avionët ushtarakë izraelitë, shkruan BIRN.

Bazat amerikane në mbarë botën janë në vend të parë.

MARKETING