Biden: Presidenti egjiptian pranoi hapjen e kufirit dhe kalimin e 20 kamionëve me ndihma në Gaza

Biden: Presidenti egjiptian pranoi hapjen e kufirit dhe kalimin e 20 kamionëve me ndihma në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi ka pranuar hapjen e pikës kufitare Rafah për dërgimin e rreth 20 kamionëve me ndihma humanitare në Gaza, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të AP, Biden në një bisedë telefonike me presidentin Sisi ka theksuar se si fillim presidenti egjiptian ka pranuar të hapë kufirin për kalimin e rreth 20 kamionëve.

Biden ka bërë të ditur se “kjo do të përfundojë” në rast se Hamasi konfiskon ndihmat humanitare. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë njoftuar se ndihmat humanitare do fillojnë të dërgohen jo më shpejt se nesër. Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Biden dhe Sisi në bisedën telefonike diskutuan mbi bashkëpunimin për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Dy liderët ranë dakord të inkurajojnë dhënien e përgjigjes në mënyrë “urgjente dhe të fuqishme” ndaj thirrjes së OKB-së për ndihmë humanitare.

Biden dhe Sisi ranë dakord për sigurimin e paqes së përhershme në rajon për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve në Lindjen e Mesme si dhe përsëritën edhe njëherë angazhimin e tyre për partneritetin strategjik mes SHBA-së dhe Egjiptit.

– Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.

Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit dhe ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 306 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 3.478 palestinezë u vranë dhe mbi 12 mijë të tjerë u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit. Thuhet se 66 palestinezë u vranë dhe rreth 1.300 u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Po ashtu në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 10 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.

Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

Së fundmi, në sulmin që Izraeli zhvilloi më 17 tetor ndaj spitalit Al-Ahli Baptist në Gaza, u vranë 471 palestinezë ndërsa 342 u plagosën prej të cilëve 28 në gjendje të rëndë.

MARKETING