Biden: Do e kisha mundur Trumpin në zgjedhje, por s’doja të isha President 86 vjeç
Presidenti i SHBA Joe Biden është shprehur se ai mund të ishte rizgjedhur President në nëntor nëse do të kishte mbetur në garën për Shtëpinë e Bardhë përballë Donald Trump, por duke pranuar megjithatë se nuk e di nëse do të ishte në gjendje të përfundonte mandatin e tij të dytë.
“Unë mendoj kështu”, tha lideri 82-vjeçar demokrat kur u pyet nëse ai do të kishte pasur ndonjë shans për të fituar zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër Trump, duke shtuar se mendimi i tij është i bazuar në sondazhe, por nuk dha detaje të mëtejshme.
“Kur Trump kandidoi, me të vërtetë mendova se ishte shansi im më i mirë për ta mundur atë. Por nuk doja më të isha president në moshën 85 apo 86 vjeçare. Prandaj, unë përmenda mundësinë e dorëzimit të stafetës”, theksoi ai në një intervistë për USA Today.
“Nuk e di… Deri më tani jam mirë, por kush e di se si do të isha në moshën 86-vjeçare?!”, shtoi Biden, i cili do të pasohet më 20 janar nga miliarderi republikan, që u zgjodh në nëntor duke mundur zv/presidenten dhe kandidaten demokrate Kamala Harris.
Harris ishte një zëvendësuese e minutës së fundit për Joe Biden pasi ai njoftoi në korrik se po tërhiqej nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas një debati katastrofik në fund të qershorit kundër Donald Trump që kishte ngritur pikëpyetje rreth mprehtësisë mendore dhe moshës së tij.
Presidenti në largim i tha gjithashtu USA Today se ai i kërkoi Donald Trump pas zgjedhjeve që të mos kthehej kundër armiqve të tij të perceptuar, duke e paralajmëruar atë se nuk ishte në interesin e tij më të mirë që “të përpiqej të zgjidhte llogaritë e lëna pezull”, por sipas tij, Donald Trump nuk iu përgjigj.