Berisha: Çdo votë për Alibashën është votë për Ramën! Alibeaj: Një mendësi komuniste sulmon ata që mendojnë ndryshe

Berisha: Çdo votë për Alibashën është votë për Ramën! Alibeaj: Një mendësi komuniste sulmon ata që mendojnë ndryshe

Demokratët, të cilët do të shkojnë të përçarë në zgjedhjet e 14 majit, kanë nisur edhe fushatën e ashpër ndaj njëri-tjetrit lidhur me votat mes të vetëve.

Nga Shkodra, Sali Berisha u ka bërë thirrje demokratëve që të mos votojnë asnjë kandidatë të PD zyrtare që është në listat e Enkelejd Alibeajt, pasi për të është votë e shitur për Edi Ramën.

“Partia Demokratike është e sigurt se do të dalë fitimtare. I garantoj shqiptarët për vendosmërinë tonë për t’i rikthyer shqiptarëve demokracinë. Binomi Basha-Alibasha përbën shëmtirën më të madhe të historisë politike të Shqipërisë, pengje të Edi Ramës dhe çdo votë e imagjinuar për ata është votë për Edi Ramën. Ata s’kanë merituar asnjë besim pasi në radhë të parë shkelmojnë veten e tyre, sillen si pengje pa asnjë lloj vlere”, tha Berisha.

Këto deklarata Berisha i bëri pas ceremonisë në Shkodër për 32-vjetorin e Masakrës së 2 prilli 1991, ku tha se jeta e dëshmorëve të rënë duhet të motivojë demokratët që të largojnë “diktaturën e Ramës”.

“Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre. Para sakrificës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës. Të rinj të cilët, 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë.

Për të protestuar kundër një diktature, e cila në një akt barbar zgjodhi kremtojë votën e rrëmbyer, zgjedhjet e rrëmbyera, me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori. Në breshëritë e falangave terroriste, të partisë terroriste, ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit”, tha Berisha.

Akuzave të Berishës i është përgjigjur kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili thotë se “veçse një mendësi komuniste mund ta përdhosi kujtimin e heronjve të 2 prillit, duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai”.

Duke nderuar heronjtë që humbën jetën për demokraci më 2 prill 1991, Alibeaj thotë se duhet respektuar çdo mendim dhe alternativë dhe t’i dorëzohen kultit të individit.

“Përkujtimi dhe respekti ndaj atyre që jetën dhanë në 2 prill, bëhet me nderim e në heshtje. Me reflektim të ndjerë e të thellë për çka dhe përse amaneti i antikomunizmit, lirisë dhe demokracisë ende nuk është çuar në vend! E vend për faj e përgjegjësi ka për çdokënd që pati mundësinë për të kontribuar në këtë drejtim. Nëse nuk ka dashur a mundur sot duhet veçse të heshtë!

Veçse një mendësi komuniste mund ta përdhosi kujtimin e heronjve të 2 prillit, duke sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai. Ata që dhanë jetën në 2 prill në emër të lirisë dhe demokracisë së munguar për dekada meritojnë respektin dhe nderimin më të lartë sot. Në ditën kur ende zgjatimet e komunizmit përpiqen të mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve për interesat e tyre personale.

Në nderim të jetës së dhënë nga heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Çeka, të gjithë duhet të përulemi me respekt dhe të vlerësojmë më gjakftohtësi dhe seriozitet rrugëtimin politik të PD në këto 30 vjet. Në emër të vlerave të së cilës ata u vranë pabesisht nga regjimi komunist.

Vlerësimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e heronjve të 2 prillit do të mbetet në themelet e vlerave mbi të cilat PD u ngrit. Ndaj sot reflektimi për këto vlera duhet të na bëjë më të përgjegjshëm për të çuar në vend jo vetëm dëshirën por dhe idealin e të gjithë atyre që dhanë jetën që sot të jemi të lirë në një vend demokratik. Për të respektuar çdo mendim dhe alternativë dhe jo për t’iu dorëzuar kultit të individit që na mbajti peng për gati 50 vjet”, shkruan Alibeaj.

/rtsh.al/

MARKETING