‘Beogradi të heqë dorë nga veprimet destabilizuese’, Haradinaj dënon vrasjen e policit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet se është i tronditur nga vrasja e një polici në Veri dhe plagosja e një tjetri.
Për ish-kryeministri ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, ndërkohë që i bëri thirrje Beogradit të heqë dorë nga veprimet destabilizuese.
‘Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë’, shkruan Haradinaj.
Mes të tjerash, kreu i AAK, Haradinaj fton organet ligjzbatuese, KFOR dhe aleatët e sigurisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur këtë ngjarje dhe për të vendosur autorët përpara drejtësisë.
‘Ftoj organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti. Rendi dhe ligji s’ka alternativë’, shprehet Haradinaj.