Belgjikë, rritet numri i dentistëve me “diploma të paligjshme” nga Rumania

Belgjikë, rritet numri i dentistëve me “diploma të paligjshme” nga Rumania

Në Belgjikë është rritur numri i stomatologëve që punojnë me njohuri të pamjaftueshme, duke marrë kryesisht diploma nga Rumania në mënyrë të paligjshme, transmeton Anadolu.

Sipas lajmeve të medias belge bazuar në Shoqatën Flemish Dentare (VBT), po rritet numri i stomatologëve që punojnë në Belgjikë, kryesisht me “diploma të paligjshme” nga Rumania.

“Dentistët që kanë marrë diplomat e tyre nga Rumania nuk mund t’u përgjigjen pyetjeve më të thjeshta kur paraqiten para komisionit në Belgjikë. Megjithatë, duke qenë se Rumania është pjesë e Bashkimit Evropian (BE), aplikimet e tyre nuk mund të refuzohen dhe si rrjedhojë, diplomat miratohen automatikisht”, tha kreu i VBT-së, Frank Herrebout.

Duke theksuar se shumë stomatologë nga vendet e Afrikës së Veriut me diplomë rumune punojnë në Belgjikë, Herrebout tha se, “Ne njohim shkolla private në Rumani ku mundësohet diplomimi me pagesë”.

“Në Belgjikë nuk ka hyrë ende në fuqi ligji që parashikon pranimin e mjekëve dhe stomatologëve që kanë përfunduar arsimin e tyre në një universitet të huaj. Ndërkohë që formimi profesional duhet të jetë i barabartë në çdo shtet anëtarë të BE-së, lindin shumë pikëpyetje lidhur me fluksin e mjekëve afrikano-veriorë përmes ‘derës së pasme’ të siguruar nga Rumania”, thuhet në njoftimin e VBT-së.

Të paktën 27 raste të mashtrimit të qëllimshëm

Sipas Institucioni Federal i Sigurimeve Shoqërore Publike (RIZIV) në Belgjikë, në pesë vitet e fundit janë konstatuar praktika që tregojnë mashtrime, si ekzaminimet e stomatologëve të huaj shumë më lart se mesatarja maksimale. Të paktën 27 raste të tilla të “mashtrimit të qëllimshëm” janë regjistruar, por përmbajtja e tyre nuk është bërë e ditur.

Në një deklaratë të lëshuar në qershor, RIZIV tha se 54 për qind e stomatologëve që filluan të punojnë në Belgjikë në vitin 2022 ishin me origjinë të huaj dhe 34 për qind kishin marrë diplomën nga një vend tjetër evropian.

Ndërkaq një diplomë nga çdo vend i BE-së është e vlefshme në çdo vend të BE-së dhe lejon ushtrimin e profesionit.

MARKETING