Belgjikë, grupi musliman belg apelon ndalimin e shamisë në gjykatën e lartë
Shoqata e Xhamive të Gentit (VGM) ka njoftuar se do të apelojë në Këshillin e Shtetit të Belgjikës për të kërkuar anulimin e ndalimit të rivendosur të shamisë në arsimin provincial në Flandrën Lindore, duke argumentuar se kërkesat procedurale nuk janë ndjekur siç duhet, transmeton Anadolu.
Organizata ombrellë, që përfaqëson 23 xhami në Gent, tha se dekreti pjesëmarrjes nuk është zbatuar siç duhet dhe citoi dëshmi nga mësuesit të cilët, siç tha, zgjodhën të mbeten anonimë nga frika e sanksioneve.
Shoqata përshkroi atë që e quajti një klimë shoqërore në të cilën gratë muslimane “pengohen në mënyrë strukturore” të shprehin lirisht dhe me dinjitet identitetin e tyre. Ajo shtoi se deklaratat e bëra në debatin mbi ndalimin pasqyrojnë një “ndryshim shqetësues në kufijtë e debatit demokratik”.
VGM-ja kritikoi veçanërisht komentet e zv/kryetarit të provincës së Flandrës Lindore, Kurt Moens, i cili në një takim të këshillit provincial tha se ai është konsultuar me “komunitetin e gjerë musliman”. Shoqata tha se konsultime të tilla nuk janë mbajtur me VGM-në.
Grupi gjithashtu hodhi poshtë sugjerimet se kundërshtarët e ndalimit të shamisë po anojnë drejt ekstremizmit, duke paralajmëruar se liria e shprehjes po vihet nën presion në rritje.
Dje, qeveria provinciale e Flandrës Lindore miratoi një ndalim të shamisë për nxënësit në shkollat provinciale, i cili do të hyjë në fuqi në vitin akademik 2026-2027.

