BeH, rritet në 13 numri i viktimave nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Tuzlla
Numri i të vdekurve nga zjarri që përfshiu shtëpinë e të moshuarve në qytetin e Tuzllës në Bosnjë e Hercegovinë është rritur në 13, raporton Anadolu.
“Një person tjetër i cili ishte i shtruar në spital në Klinikën për Anesteziologji dhe Reanimacion në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës ka vdekur”, konfirmoi për AA, Ersija Ashçeriq Mujedinoviq, zëdhënëse e Qendrës Klinike Universitare të Tuzllës.
“Mbrëmë në orën 23:01 vdiq një person tjetër”, tha ajo.
Mujedinoviq theksoi se 13 persona janë aktualisht të shtruar në spital në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës. Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit janë tre pacientë, njëri prej të cilëve është në respirator.
Një zjarr i madh shpërtheu të martën rreth orës 20:45 në shtëpinë e të moshuarve në Tuzlla.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri shpërtheu në katin ku ishin të vendosur përdoruesit me aftësi të kufizuara, gjë që e bëri evakuimin dukshëm më të vështirë. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, u ndje tym i dendur dhe se në ndërtesë mbizotëroi paniku.
E enjtja ishte ditë zie në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës dhe distriktin e Bërçkos. Qyteti i Tuzllës shpalli katër ditë zie duke filluar nga e enjtja. E enjtja ishte gjithashtu ditë zie në Mal të Zi.
Këshilli i Ministrave të BeH-së mbajti seancë telefonike të mërkurën, në të cilën nuk u vendos të shpallet ditë zie në të gjithë territorin e BeH-në sepse nuk kishte kuorum për votim.

