Begaj: Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë drejt integrimit evropian

Në Tiranë është mbajtur samiti i kryetarëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të nismës nga Shqipëria, ndërkohë Turqia u përfaqësua në këtë samit nga ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, raporton Anadolu.
MARKETING
Në fund të punimeve të samitit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, vendi i të cilit do të marrë kryesimin e radhës të nismës mbajtën një deklaratë të përbashkët.
Begaj u shpreh se samiti i SEECP-së inkurajoi përpjekjet për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit, sipas tij përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai tha se motoja e kryesisë shqiptare të nismës “Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane” udhëhoqi këtë proces reflektimi dhe dialogu.
“Diskutimet zhvilluara shërbyen për të thelluar dialogun konstruktiv dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë ndaj një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Integrimi mbetet një hap vendimtar drejt një Evrope më të bashkuar e më të sigurt. Potenciali i rajonit për zhvillim është i madh. Procesi pranimit në Bashkimin Evropian është një mjet transformues për nxitjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies”, tha Begaj.
Begaj shtoi se lufta në Ukrainë e ka treguar qartë se paqja, siguria, stabiliteti në Evropën Juglindore janë pjesë e arkitekturës më të gjerë evropiane të sigurisë.
“Shqipëria shpreh shqetësim për tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit. Ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha ndër të tjera Begaj.
Ai tha se Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë drejt integrimit evropian, teksa shtoi se “qëllimi ynë strategjik mbetet mbyllja e procesit të negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi në BE deri në vitin 2030”.
– Begaj: Deklarata e samitit u refuzua nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat, Begaj tha se Deklarata e Tiranës e Samitit u votua nga shumica e vendeve anëtare të SEECP-së, por sipas tij u refuzua nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat shtoi ai kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët.
“Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështjet e lidhura me sigurinë”, tha Begaj.
Begaj deklaroi se çështja e sanksioneve ndaj Kosovës është një çështje e padrejtë dhe sipas tij duhej zgjidhur shumë kohë më parë.
– Davkova: Ka pengesa që kanë ndaluar ose penguar integrimin evropian
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova u shpreh se ka pengesa që kanë ndaluar ose penguar integrimin evropian të rajonit dhe shtoi se ka nevojë për ndryshime në këtë proces.
Ajo shtoi se po hasin me eksode dhe depopullim dhe të rinjtë po largohen nga vendet, duke shtuar se “kjo në fakt është një tendencë e konsiderueshme dhe se duhet që t’i mbajmë ata në vendet tona”.
“Ne nuk duhet të bëhemi një periferi gjeoekonoımike. Ne na duhet bashkëpunim në kuptimin e infrastrukturës, energjisë, digjitalizimit, sepse nëpërmjet bashkëpunimit ne do të ndërtojmë një rajon më konkurrues. Unë shpesh them që ne nuk duhet të presim që të respektohemi nëse nuk respektojmë njëri-tjetrin. Ne mbështesim integrimin e përbashkët dhe integrimin e tregut tonë në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Davkova u shpreh se sa më të bashkuar të jenë, aq më rezistentë do të jenë karshi sfidave dhe shtoi se ajo beson në unitetin rajonal.
– Presidenti i Bullgarisë: Do të synojmë përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve brenda rajonit
Presidenti bullgar, Rumen Radev deklaroi se duke qenë disa herë në kryesimin e nismës, do të zhvillojnë më tej jo vetëm atë që është arritur deri tani, por do të arrijnë të bëjnë sipas tij më të mirën, me vizonin, me vendosmërinë për të zgjidhur dhe për të mbizotëruar të gjitha sfidat që has rajoni dhe vendet e tjera.
Ai tha se bashkëpunimi i orientuar nga rezultatet është çelësi që rajoni të zhvillohet si vend i sigurisë, stabilitetit dhe i përparimit. “Për këtë arsye, prioritetet e kryesisë natyrisht që do të synojnë pikërisht përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve brenda rajonit bazuar në merita”, tha ai.
Duke iu drejtuar presidentes së Maqedonisë së Veriut mbi deklaratën e saj mbi pengesat për integrimin evropian, ai tha se: “Nuk po flasim për marrëdhëniet bilaterale të pazgjidhura. Ne nuk po flasim për një veto ose për ndalimin e procesit të një vendi fqinj, por gjithkush e kupton që nga konsensusi evropian i vitit 1992 ne flasim për sfidat e brendshme për shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Unë do të doja të ju garantoja që Bullgaria është shteti më i afërt dhe ka dëshirën e zjarrtë për të shtrirë dorën dhe për të qenë ndihmë dhe kështu që shoqëria juaj dhe shteti të trajtojë sfidat në një mënyrë më të shpejtë dhe të zbatojë kriteret e Kopenhagenit”.
Shqipëria ka kryesinë e radhës të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën qershor 2024-korrik 2025 ndërkohë presidencën e radhës të nismës do ta marrë Bullgaria.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 dhe është një nismë rajonale që synon të krijojë një atmosferë besimi, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet.
Pjesë e nismës janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia.