BE shtrenjtohet për britanikët, leja për të hyrë në BE do të kushtojë 180% më shumë nga 2026-ta

Pas Brexit, britanikët do duhet të kenë një autorizim për të udhëtuar nëpër vendet e Bashkimit Evropian, pak a shumë, siç aplikohet në Shtetet e Bashkuara apo në Kanada, pa të cilin edhe nëse ke vizë, nuk mund të udhëtosh pa këtë autorizim zyrtar.
Duke filluar nga viti i ardhshëm britanikët do duhet të paguaj nga 6 stërlina, tashmë 17 stërlina ose 180% më shumë për të marrë këtë leje udhëtimi që ka vlefshmëri për tre vjet, raporton korrespondenti i Top Channel, Arben Manaj.
Duke filluar nga fundi i vitit të ardhshëm, 2026, procesi i quajtur ETIAS, ose Sistemi i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet Evropiane, do aplikohet për britanikët.
Nuk është vizë e mirëfilltë në fakt, sesa një verifikim sigurie përpara se të nisësh udhëtimin. Fillimisht çmimi i këtij verifikimi ishte caktuar 6 stërlina, por Komisioni Evropian e ka shtuar së fundmi në 17 stërlina, duke e argumentuar me rritjen e inflacionit si dhe kostot e teknologjisë së re.
Me marrjen e konfirmimit për këtë leje, ajo do jetë e vlefshme për tre vjet ose derisa të skadojë pasaporta në vartësi se cila skadon më herët. Kjo i lejon udhëtarëve britanikë të udhëtojnë në vendet e BE-se sa herë të duan deri në 90 ditë qëndrimi brenda 180 ditëve.
Personat që janë poshtë moshës 18-vjeçare apo ata që janë mbi 70 vjeç në kohën e aplikimit përjashtohen nga kjo tarifë udhëtimi.
Në vartësi të këndvështrimit, kjo tarifë është një lloj karme për votën pro-Brexit, e cila krijon kufizime për britanikët edhe pse marrëdhëniet mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian pas ardhjes së Laburistëve në pushtet po përafrohen, por jo deri aty sa të kthehet liria e udhëtimit ashtu siç ishte përpara referendumit për daljen nga BE-ja.