BE pranon të “bllokojë për një kohë të pacaktuar” asetet ruse

BE pranon të “bllokojë për një kohë të pacaktuar” asetet ruse

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka bërë të ditur se blloku ka vendosur të “bllokojë për një kohë të pacaktuar” asetet ruse të mbajtura në Evropë, transmeton Anadolu.

“BE-ja sapo vendosi të bllokojë për një kohë të pacaktuar asetet ruse. Kjo siguron që deri në 210 miliardë euro fonde ruse të mbeten në tokën e BE-së, përveç nëse Rusia i paguan plotësisht Ukrainës dëmshpërblimet që ka shkaktuar”, tha Kallas në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti vendimin, duke theksuar në rrjetet sociale se kjo i dërgon në “sinjal të fortë” Rusisë se kostot e saj do të vazhdojnë të rriten për sa kohë që lufta vazhdon.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nga ana e tij, kujtoi se në mbledhjen e Këshillit Evropian të muajit tetor, liderët e BE-së u zotuan se do të mbajnë asetet ruse të palëvizshme derisa Rusia të përfundojë luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës dhe të kompensojë dëmin e shkaktuar.

“Sot, ne e përmbushëm këtë angazhim”, tha ai.

Vendimi vjen teksa blloku evropian synon të vendosë në dispozicion 90 miliardë euro për Ukrainën, qoftë duke huazuar fonde direkt ose duke përdorur asetet ruse të ngrira sipas sanksioneve në Euroclear.

Belgjika, ku ndodhet selia e kompanisë Euroclear, depozitës kryesore për asetet e ngrira ruse në BE, ka shprehur rezerva në lidhje me planin, duke shprehur frikë se vendi mund të përballet me sfida ligjore dhe të mbajë përgjegjësi financiare e vetme. Qeveria belge ka këmbëngulur në disa ndryshime në propozimin fillestar të Komisionit të BE-së për të kundërshtuar rreziqet e mundshme financiare dhe ligjore dhe për të mbrojtur më mirë kompaninë Euroclear.

Ndërkohë, Banka Qendrore e Rusisë sot tha se planet e BE-së për të përdorur asetet e saj të ngrira janë të paligjshme dhe kërcënoi se do të kundërshtojë propozimin.

MARKETING