BE në Beograd nuk e uli flamurin në gjysmë-shtizë: Nuk vajtojmë e glorifikojmë kriminelët
Flamuri në zyrat e Bashkimit Evropian në Beograd nuk është ulur dje në gjysmë-shtizë ani pse Qeveria e Serbisë kishte shpallur 27 shtatorin ditë zie për tre terroristët e vdekur në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, për KALLXO.com ka thënë se BE është kundër glorifikimit të kriminelëve.
“Kemi parë që Serbia e ka shpallur dje ditë zie. Delegacioni i BE-së në Serbi nuk e uli flamurin e BE-së. Në përgjithësi, BE-ja është në thelb kundër glorifikimit dhe vajtimit të kriminelëve dhe terroristëve”- ka thënë ai.
Stano ka përmendur se Bashkimi Evropian i ka ulur flamujt në gjysmë-shtizë në Kosovë, në nderim të policit Afrim Bunjaku, por që sipas tij nuk duhet që sulmuesi të barazohet me viktimën.
“Të hënën, Zyra e BE-së në Prishtinë ka vendosur flamurin e BE-së në gjysmë-shtizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur të Kosovës, viktima të sulmit të tmerrshëm terrorist të së dielës. Qëndrimi i BE-së për sulmin u shpreh qartë në deklaratat e HRVP-së (Josep Borrell) të lëshuar më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit nuk duhet të barazohen kurrë me viktimat”- ka thënë ai.
Serbia e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie në nderim të tre personave që u vranë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.
Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.