BE kritikon Kosovën për mbylljen e zyrave të fondeve për sigurime shëndetësore dhe pensionale në veri

Bashkimi Evropian (BE) ka kritikuar veprimet e autoriteteve kosovare për mbylljen e zyrave të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale në Mitrovicë të Veriut, të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, transmeton Anadolu.
BE-ja ka konsideruar se “kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së”.
“BE-ja vazhdimisht ka deklaruar se statusi i tyre duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në reagim.
BE-ja i bëri thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës që “të përmbahen nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Sipas BE-së, këto veprime kanë ndikim negativ te qytetarët e zakonshëm, kryesisht nga komuniteti serb në Kosovë, por edhe te komunitetet e tjera.
Një ditë më parë, inspektorët nga Mitrovica e Veriut në asistencë me zyrtarët e Policisë së Kosovës kryen kontrolle në hapësirat ku vepronin këto institucione të Serbisë.
Pas kontrollit, nga Komuna e Mitrovicës së Veriut deklaruan se personat e hasur në objektin në fjalë nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur dhe për këtë arsye atyre u është pezulluar përkohësisht veprimtaria.
Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor.
Në mjediset serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë ende sipas sistemit të Serbisë.