BE kërkon zgjatjen e marrëveshjes së drithit në Detin e Zi

BE kërkon zgjatjen e marrëveshjes së drithit në Detin e Zi

Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për zgjatjen e marrëveshjes së emërtuar Iniciativa e Drithit në Detin e Zi e cila siguron dërgimin e drithit të Ukrainës në tregjet ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Një nga zëdhënësit e Komisionit Evropian (KE), Peter Stano në një konferencë për media iu përgjigj pyetjes rreth marrëveshjes së drithit duke thënë se si BE prioritet i tyre është që drithi ukrainas të dërgohet në tregun botëror.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të kësaj iniciative për zgjatjen e marrëveshjes. I vlerësojmë si të nevojshme bisedimet nën kryesimin e Türkiye-s dhe Kombeve të Bashkuara”, tha Stano.

Ai tha se janë të hapur të hulumtojnë të gjitha zgjidhjet që sigurojnë zgjatjen e marrëveshjes. Stano theksoi se në të njëjtën kohë do të vazhdojnë qëllimin për të penguar sa të jetë e mundur aftësitë luftarake të Rusisë në Ukrainë.

Në mediat ndërkombëtare pretendohet se BE-ja me qëllim zgjatjen e marrëveshjes, mendon të heqë sanksionet ndaj Bankës Bujqësore të Rusisë (Rosselkhozbank).

– Marrëveshja e Korridorit të Drithit në Detin Zi

Për të ulur ndikimin mbi çmimet globale të ushqimit si pasojë e sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, OKB-ja, Rusia, Türkiye dhe Ukraina me një ceremoni të mbajtur në Istanbul më 22 korrik 2022 nënshkruan Marrëveshjen e Korridorit të Drithit në Detin e Zi.

Afati i marrëveshjes i cili më parë është zgjatur disa herë, do të përfundojë më 17 korrik. Zyrtarët rusë thonë se nuk shohin ndonjë mundësi për zgjatjen e marrëveshjes.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një deklaratë më 3 korrik, vlerësoi mundësinë e heqjes së sanksioneve të SWIFT (sistemi ndërkombëtar i pagesave) ndaj të gjitha bankave ruse, përfshirë edhe Bankën Bujqësore të Rusisë (Rosselkhozbank) dhe tha se në marrëveshjen e drithit nuk zbatohet pjesa që ka të bëjë me Rusinë.

“Ka edhe pak kohë deri në përfundimin e afatit të marrëveshjes. Por, nuk ka as shpresë se kjo pjesë do të zbatohet”, theksoi Peskov.

MARKETING