BE-ja përsërit thirrjen për zgjedhje të reja në veri të Kosovës

BE-ja përsërit thirrjen për zgjedhje të reja në veri të Kosovës

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që menjëherë dhe pa kushte të deeskalojnë situatën në veri të Kosovës dhe të ndalojnë retorikën e ndarjes, duke theksuar BE-ja është e gatshme të zbatojë masa vendimtare, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në emër të të 27 shteteve anëtare, thuhet se blloku dënon fuqishëm aktet e dhunës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe mediave në veri të Kosovës.

“Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm prapa misionit të NATO-s, KFOR-it, dhe misionit të BE-së, EULEX-it, në përmbushjen e mandateve të tyre. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për deeskalim, të ndalojnë përdorimin e retorikës së përçarjes dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Është urgjente rivendosja e paqes”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa vendimtare dhe se dështimi për të deeskaluar tensionet do të çojë në pasoja negative.

“Ne presim që Kosova të veprojë në mënyrë jopërshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore pranë ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera përveç objekteve komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në një mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Ne presim pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje”, ka thënë BE-ja.

Në të njëjtën kohë, është shprehur shqetësim për statusin më të lartë të gatishmërisë së ushtrisë serbe.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të sillen me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Këtu përfshihet edhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa apo parakushte të mëtutjeshme”, thuhet në deklaratën Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.

MARKETING