BE-ja miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

BE-ja miraton kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, pasi nuk arritën të bien dakord për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.

Marrëveshja, e cila sipas udhëheqësve do të përmbush nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, erdhi pas më shumë se një dite bisedimesh në një samit në Bruksel.

“Ne u zotuam, ne e përmbushëm premtimin”, shkroi shefi i BE-së, Antonio Costa, në X, ndërsa njoftoi marrëveshjen për të siguruar një kredi të mbështetur nga buxheti i përbashkët i bllokut.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kishte kërkuar udhëheqësve të përdornin 200 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse, por Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e parave të gatshme, kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë, gjë që rezultoi shumë e vështirë për vendet e tjera.

Në një zhvillim tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se besonte se do të ishte “e dobishme” për Evropën të riangazhohej me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Unë besoj se është në interesin tonë si evropianë dhe ukrainasë të gjejmë kornizën e duhur për të rinisur këtë diskutim”, tha ai, duke shtuar se evropianët duhet të gjejnë mjetet për ta bërë këtë “në javët e ardhshme”.

BE-ja vlerëson se Ukrainës i duhen 135 miliardë euro shtesë për të mbijetuar gjatë dy viteve të ardhshme, me krizën e parave të gatshme që do të fillojë në prill.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kishte nxitur planin e aseteve, tha se vendimi përfundimtar mbi kredinë “i dërgon një sinjal të qartë” Putinit.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen në Miami këtë fundjavë për bisedime të mëtejshme mbi një plan paqeje, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për agjencinë e lajmeve AFP. Mendohet se i dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, do të flasë me të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në Miami.

Sakaq, Zelensky njoftoi se delegacionet ukrainase dhe amerikane do të zhvillojnë bisedime të reja të premten dhe të shtunën në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se donte që Uashingtoni të jepte më shumë detaje mbi garancitë që mund të ofronte për të mbrojtur Ukrainën nga një pushtim tjetër.

MARKETING