BE-ja: Mbyllja e postës serbe në veri të Kosovës, veprim i njëanshëm
Bashkimi Evropian (BE) e ka konsideruar të njëanshëm dhe veprim të pakoordinuar mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare.
Në një komunikatë për media të BE-së, konsiderohet se me këto veprime të palës kosovare janë shkelur marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.
“Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionin e arritur në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të dakorduar më 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare ‘në një fazë të mëvonshme’, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP)”, thuhet në reagim.
Tutje, BE-ja thotë se është e gatshme që këtë çështje ta inkuadrojë në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut në Bruksel, derisa “pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje”.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, thuhet tutje në reagimin e BE-së, e cila i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës ta rikonsiderojë këtë vendim dhe të gjejë zgjidhje të negociuar për këtë çështje.
Policia e Kosvoës njoftoi se më 5 gusht në një operacion në veri të Kosovës, me vendim të autoritetit kompetent, mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë “mbi dyshimin e bazuar se të njëjtat kanë operuar pa licencë dhe nuk kanë qenë të regjistruara në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës”.
“Sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licensë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës”, njoftoi Policia më 5 gusht.
Këto veprime sipas institucionit kosovar të sigurisë dhe rendit u realizuan në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore.
Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.