BE: Hapat konkret drejt aneksimit të Bregut Perëndimor do të përbënin shkelje të ligjit ndërkombëtar

Komisioni Evropian ka deklaruar se çdo hap konkret drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar do të përbënte një shkelje të ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Kjo deklaratë vjen pas miratimit nga parlamenti izraelit të një rezolute që i bën thirrje qeverisë të vazhdojë përpara me planet për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni, theksoi se BE-ja nuk e njeh sovranitetin izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Aneksimi është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar. Çdo hap konkret në atë drejtim do të konsiderohet si shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha El Anouni në një konferencë për media në Bruksel.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe afatgjate, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete dhe ritheksojmë se nuk ka alternativë tjetër për këtë”, shtoi ai.
Duke iu referuar situatës në Rripin e Gazës, El Anouni theksoi se civilet kanë vuajtur “për tepër gjatë” dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund kësaj gjendje.
Ai tha se BE-ja ka shpërndarë një përditësim të brendshëm për vendet anëtare mbi respektimin nga Izraeli të marrëveshjes së 10 korrikut, e cila synon përmirësimin e kushteve humanitare në Gaza.
“Përshtypjet e para që kemi marrë mbi angazhimin izraelit për përmirësimin e qasjes humanitare në Gaza janë të përziera. Është e vërtetë që më shumë kamionë po hyjnë në Gaza, por shpërndarja e ndihmave mbetet problematike dhe pikërisht për këtë arsye ne do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e situatës humanitare, duke marrë parasysh opsionet që janë mbi tryezë”, u shpreh ai.
El Anouni gjithashtu tha se janë hapur rrugë të reja, ndërsa furnizimi me karburant është përmirësuar, por theksoi se “situata mbetet e rëndë” dhe është e qartë se “duhet bërë shumë më tepër”.
Lidhur me përfaqësimin e BE-së në një konferencë të ardhshme të OKB-së në New York mbi zgjidhjen me dy shtete, zëdhënësi i Komisionit Evropian tha se informacioni i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur.
Blloku evropian gjithashtu ri-theksoi mbështetjen e tij për nismën Aleanca Globale për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, në kuadër të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të zgjidhur konfliktin shumëvjeçar izraelito-palestinez.